Ku do të shpiejë rruga e tyre? – Refugjatët në Gjermani

Në lajme shfaqen shpesh pamje të refugjatëve, edhe në Gjermani vijnë çdo vit disa mijëra njerëz, të cilët kërkojnë mbrojtje nga përndjekja dhe lufta. Në të shumtën e rasteve quhen refugjatë. Por, nëse i shohim me kujdes, vërehet se dallimet mes tyre janë të mëdha dhe e ardhmja e tyre varet nga shumë ligje. Sipas të drejtës ndërkombëtare, si refugjat mund të cilësohet ai, i cili është njohur si i tillë nga rregullat e Konventës së Gjenevës për Refugjatë. Gjermania është njëra nga rreth 140 nënshkrueset e kësaj marrëveshjeje. Qëllimi i saj është mbrojtja e atyre personave, të cilët janë të përndjekur për arsye racore, politike, religjioze apo për shkak të qëndrimeve të tyre dhe që nuk mund të jetojnë më në atdheun e tyre.
Si refugjatë cilësohen më së shpeshti azilkërkuesit
Nëse në Gjermani flitet për refugjatë, më së shpeshti mendohet për azilkërkues. Këta njerëz – të quajtur edhe aplikues për azil –, e kanë parashtruar në Zyrën Federale për Migrim dhe Refugjatë (BAMF) një kërkesë për azil, e për të cilin ende nuk ka marrë ndonjë vendim zyra në fjalë. Mirëpo, çfarë do të thotë „azil“ në këtë kontekst? Atij që njihet si refugjat i garanton Republika Federale e Gjermanisë se nuk do ta kthejë në vendin, nga i cili ka ikur. Por shpesh ndodh që zyrja ta ketë të vështirë ta kuptojë se a i kërcënohet dikujt përndjekja dhe vdekja në atdhe. Prandaj ndodh që shqyrtimi i kërkesës për azil të zgjasë shumë. Gjatë vitit të parë të qëndrimit, pretendentit për azil i ndalohet punësimi, por edhe më pas është shumë i kufizuar. Duhet të banojnë në vendet e përcaktuara dhe këtë vend mund ta lëshojnë vetëm me leje të veçantë. Shumë pak aplikues për azil kanë sukses. Në të shumtën e rasteve, kjo ndodh për shkak se aplikuesi ka shkuar më parë në një vend tjetër të UE-së dhe ky vend është përgjegjës për procedurën. Kjo ndodh po ashtu kur vendi i prejardhjes cilësohet si i sigurtë dhe Zyrja nuk sheh rrezik për jetën. Sipas Zyres Federale për Migrim dhe Refugjatë, gjatë vitit 2007 u shqyrtuan rreth 28.500 aplikacione në Gjermani. Prej tyre u pranuan vetëm 304, pra vetëm 1,1 për qind. Rreth 45 për qind u refuzuan, një çerek e mori një „leje të veçantë qëndrimi (tolerim)“. Rreth 200.000 persona në Gjermani e kanë këtë leje. „Ky status mund të vlejë pak javë ose në gashtë muajë“, thotë Bernd Mesovic, referent i politikës ligjore në Pro Asyl. Sipas tij, nuk ekzistojnë statistika të sakta, meqë Zyret përkatëse nuk i ruajnë të dhënat e tyre në mënyrë qëndrore. „Sipas përvojës sonë, „tolerimi“ prej tre muajsh është më i zakonshmi“, gjykon Mesovic.
Pro Asyl vlerëson se në Gjermani jetojnë rreth 500.000 deri 1,5 milion njerëz pa leje qëndrimi.
Leje e përkohshme qëndrimi
Shkresa për „leje të veçantë qëndrimi“ thotë se personi në fjalë nuk mund të detyrohet njëherë për njëherë që ta lëshojë Gjermaninë, bie fjala për shkak të një sëmundjeje, ose përshkak se rajoni, në të cilin aplikuesi për azil do të kthehet pa vullnetin e tij- zakonisht kjo i bie se do ta fluturojë pa dëshirën e tij atje, është në gjendje lufte. Shih për këtë arsye, shumë njerëz nga Kosova dhe Serbia kanë jetuar me vite në Gjermani. Shumica e tyre qëndronin me këtë leje të veçantë të qëndrimit, kthimi i të cilëve në vendlindjen e tyre shtyhet shpesh por për shumë pak kohë. Sot, Kosova dhe Serbia konsiderohen si vende paqësore, prandaj synohet që personat me leje të veçantë të qëndrimit të kthehen gradualisht për këto vende. Mbi të gjitha synohet që kosovarëve të rinjë t’u lehtësohet kthimi në atdheun e prindërve me angazhimin e organeve gjermane për gjetjen e një banese dhe një vendi për aftësim. Organiziatat e refugjatëve kritikojnë duke thënë se organet shtetërore ushtrojnë presion mbi këta njerëz, në mënyrë që ata t’i pranojnë ofertat, që u bëhen. Kush nuk fiton leje të veçantë të qëndrimit mund të mbrohet nga kthimi me anë të një ankese ose një kërkese urgjente në gjykatën përkatëse. Në raste të veçanta mund të vie deri te një rishqyrtim. Përgjegjës për këtë është Komisioni i Peticionit në kuadër të Parlamentit të Landit apo i ashtuquajturi Komisioni për Raste të Komplikuara. Ky organ mund të pozicionohet kundër kthimit të personit, nëse, bie fjala, personi është integruar mirë në Gjermani, nëse ka ardhur këtu si fëmijë, flet mirë gjermanisht dhe nuk ka familjarë në vendlindje. Mirëpo, Komisioni mund të japë vetëm rekomandime. Vendimi mbetet tek Ministria e Brendshme përgjegjëse.
Shumë pak aplikacione për azil në Gjermani
Numri i aplikuesve për azil në Gjermani ka rënë drastikisht gjatë viteve të fundit. Sipas Zyres Federale për Migrim dhe Refugjatë, në vitin 2008 erdhën vetëm 22.085 kërkesa fillestare për azil. Gjatë 30 viteve të fundit, vetëm në dy vite ka pasur më pak aplikacione. Gati një e treta e aplikacioneve gjatë vitit të kaluar, pra mbi 6.800 aplikacione u bënë nga irakianët. Në vend të dytë vijnë rreth 1.400 turq, para së gjithash me prejardhje kurde. Grupin e tretë përnga madhësia e bëjnë vietnamezët (1.042), në vend të katërt, me 879 aplikacione, janë azilkërkuesit kosovarë. Deri në vitin 2007, njerëzit nga Kosova futeshin në grupin e serbëve. Vetëm në vitin 2008, kur Kosova e shpalli pavarësinë nga Sërbia, u shfaqën edhe kosovarët si grup i pavarur në këtë listë.Zyra Federale dhe organet nën të hulumtojnë, nëse kërkesa për azil duhet të pranohet. Kush i plotëson kushtet e Paragrafit 16 të Kushtetutës shpallet zyrtarisht si azilant dhe i jepet një leje qëndrimi për tre vjet. Nëse ky vendim nuk anulohet, personi në fjalë e merr lejen e qëndrimit dhe kjo do të thotë që azilanti i gëzon pothuaj të njëjtat të drejta, si edhe një qytetar gjerman.
Në fillim të viteve nëntëdhjetë u rrit në masë të madhe numri i pretendentëve për azil dhe arriti numrin rekord prej gati 440.000 aplikuesve në vitin 1992. Kjo ndodhi para së gjithash për shkak se u hapën kufinjtë me shtetet e Evropës Lindore dhe u shpërbë Bashkimi Sovjetik. Pas kësaj, Bundestagu dhe Këshilli Federal e rreptësuan juridiksionin për azil në Kushtetutë dhe numri i azilantëve ra në mënyrë drastike. Në ndryshimin e Kushtetutës në vitin 1993 në paragrafin 16 a thuhet: „Të përndjekurit politik e gëzojnë të drejtën për azil“. Mirëpo, kjo fjali shumë e përgjithshme është relativizuar. Sot nuk mund të pretendohet e drejta për azil nga ata, që vijnë në Gjermani duke kaluar paraprakisht në një shtet tjetër të UE-së apo nëpër një shtet tjetër të sigurtë. Si të tilla konsiderohen Zvicra dhe Norvegjia. E njëjta vlen edhe për shtetet, të cilat e respektojnë Konventën e Gjenevës për Refugjatë. Në këtë listë të shkurtër të „shteteve të sigurta“ ndodhen tani për tani edhe Gana dhe Senegali.
Matthias Lohre
është korrespondenti i „taz”-it në Parlament dhe historian.
është korrespondenti i „taz”-it në Parlament dhe historian.
Përkthimi: Bleta Arifi
Copyright: Goethe-Institut e. V., Online-Redaktion
Shkurt 2009
A keni ende pyetje lidhur me këtë artikull? Na shkruani!
online-redaktion@goethe.de









