Contributions from Bosnia and Herzegovina

Dëbora

Një poezi e poetes bosnjake Mile Stojic përkthyer nga Virgjil Muçi.

Dëbora

Na ishte një qytet në zemër të botës
Rrugët e të cilit gumëzhinin përçdonatë nga muzika
Drunjtë e shëtitoreve të të cilit frushullinin nga frymëmarrjet e të dashuruarve
Mëngjeset e të cilit mbartnin aromën e bojës së freskët të gazetave të porsashtypura dhe bukës së ngrohtë
Gratë e të cilit lyenin fytyrat e bukura e krihnin leshrat e verdha
duke u rrekur dita me ditë t’i ngrinin përmendore hijeshisë së tyre
Poetët e të cilit vuanin e lëngonin për zonjat hijerënda
(kështu ndodh në çdo qytet të botës).
Na ishte një herë një qytet
i ledhatuar nga flladi i acartë që zbriste malit dhe pyjeve rreth e qark
i ledhatuar nga shamia e mëndafshtë që çupat hidhnin fytyrës
Pazaret e ngushtë të të cilit jehonin nga kënga e minareve dhe e kambanave
Rrugicat e të cilit të hiqnin udhën për kah e ardhmja dhe rrugët e botës.

Na ishte një qytet në fund të botës
Rrugicat e të cilit fshihnin re të zeza, tym të dendur
Drunjtë e shëtitoreve të të cilit u prenë për të ngrohur duar të mardhura,
për të gatuar çorbë të helmuar.
Mëngjeset e të cilit mbartnin aromën e barutit dhe të gjakut të mpiksur
Gratë e të cilit lyenin fytyrat e bukura, nduknin leshrat e zeza
Që të mbulonin rrudhat dhe gjurmët e pagjumësisë e të frikës.
Na ishte një qytet
I përkëdhelur nga kanonatat prej maleve përqark
Pazareve të ngushtë të të cilit mbizotëronte një heshtje vdekjeje
Rrugicat e të cilit të hiqnin udhën për kah poshtërimi e në një botë si kjo.

Na ishte një qytet në zemër të botës
Lutjet e të cilit i përgjëroheshin Zotit
T’u dërgonte Ditën e Gjykimit të Madh, kiametin
Varret e të cilit u kërthnezën, u hoqën osh kalldrëmit e rrugicave
Shtatë mijë ditë, shtatë mijë vjetë
Vdekja zgërdhihej nga fotografia e familjes
Në përqafimin e të dashurve.

Na ishte një qytet që e kishin braktisur
Zotat e njerëzit, fytyrëmbuluar me shamitë e zeza
Teksa nimfat leshverdha i kishin flakur në krahët e Belzebusë,
Dashnoret njomzake ia kishin shtruar ciklopit për darkë.
Na ishte një qytet që e kishin braktisur të urtët e poetët
Që mbrojtjen e kishin lënë në duar të të varfërve e të përbuzurve.

Na ishte një qytet në fund të botës
Që u dogj mbi tryezën tuaj si vravashkë e ndezur
Po që nuk ia doli ta shkrinte akullin, të ngrohte zemrat e shkretuara
Ku nuk u rrëkëllye shiu të shplante hirin e gjakun
Ku nuk mbërriti era të davariste tymin nga rrugët,
të terte lotët nga faqet. Ku nuk çatisi as pranvera
të bulëzonte sythat, të gjelbëronte barin, as vera nuk u dha
Dhe shpresa nuk sosi kurrë e as utopija e kaltër.

Veç dimri shëtiti trotuareve të plagosur,
mespërmes rrugëve të pluguara. Pafajësia
feksi sërish pullazeve
tok me dëborën e parë.

Sarajevë, verë 2009

Invitation to a Slideshow

Copyright: Marko Ilic
From the Adriatic Sea to the Bosphorus: Some of the most striking contributions to our call for photographs.