Bevor wir geboren wurden
Eine Auswahl an Gedichten des mazedonischen Lyrikers Nikola Madzirov in einer Übersetzung von Alexander Sitzmann.
Përpara se ne të lindnim
Rrugët ishin të asfaltuara
përpara se ne të lindnim
konstelacionet tashmë ishin krijuar.
Gjethet kalbeshin
nëpër trotuare.
Argjendi nxihej
mbi lëkurën e punëtorëve.
Eshtrat e dikujt rriteshin
në kohëzgjatjen e ëndrrës.
Evropa po bashkohej
përpara se ne të lindnim dhe flokët
e një vajze qetësisht
shtriheshin mbi sipërfaqen
e detit.
Tek ne
Një ditë dikush do t’i mbledh qebet1 tona
dhe do t’i dërgojë në pastrim kimik
për të hequr prej tyre edhe kokrrën e fundit të kripës,
do të ha letrat tona dhe do t’i rreshtojë sipas datave
jo sipas leximit.
Një ditë dikush do të lëvizë mobiljet e dhomës
si të ishin figura shahu në fillim të lojës,
do të hapë kutinë e vjetër të pantoflave
në të cilën ruajmë kopsat e këputura të pizhamave,
bateritë e paharxhuara dhe urinë.
Një ditë do të na kthehet dhimbja në mes
nga pesha çelësash hotelesh dhe
dyshimi i recepsionistit që na zgjaste telekomandën.
Kanë për t’na gjetur keqardhjet e të tjerëve
Si hëna fëmijën e përhumbur.
1 Mbulesë e trashë (shënim i përkthyesit)
Kur dikush largohet gjithçka e krijuar kthehet
Për Marjan. K
Nga përqafimi tek qoshja do të kuptosh
se dikush diku po largohet. Gjithmonë ndodh kështu.
Jetoj mes dy të vërtetash
si neoni që dridhet
në korridor të zbrazët. Zemra ime mbledh
gjithmonë e më shumë njerëz, sepse ata nuk janë më.
Kështu është gjithmonë. Treçerekun e jetës
e kalojmë në drithërima. Gjërat i harrojmë
pa i humbur akoma-
Fletorja me bukurshkrim, për shembull.
Asgjë nuk është e re. Sedilja në autobus
është gjithmonë e ngrohtë.
Fjalët e fundit përhapen
si kovat e rrëzuara në një zjarr të zakonshëm vere.
Nesër përsëri e njëjta gjë-
Fytyra përpra se të zbehet nga fotografia
në fillim do të humbasë rrudhat. Kur dikush largohet,
gjithçka e krijuar kthehet.
Hijet na kalojnë dhe ikin
Një ditë do të takohemi
Si varka prej letre dhe
bostani që ftohet në lumë.
Trazimi i botës do të jetë
me ne. Diellin me pëllëmbë
do ta errësojmë dhe me fener
njëri-tjetrin do të kërkojmë.
Një ditë era
nuk do ta ndryshojë drejtimin.
Një gjethe mështekne do të bjerë
në shapkat tona tek pragu.
Ujqërit do të nisen
drejt pafajësisë sonë.
Fluturat do të lenë polenin e luleve
në fytyrat tona.
Një e moshuar çdo mëngjes
do të rrëfejë për ne në stacion.
Dhe kjo që po them
është thënë tashmë: presim erën
si dy flamuj në pikën e kufirit.
Një ditë të gjitha hijet
do t’na kalojnë pranë dhe do të ikin.
Ditë kur duhet të jesh vetëm
Vërtetë se qyteti
u ngrit si pasojë e komunikimit
të nevojshëm për njerëzit
për kafshët dhe vazot shtëpiake.
(Kështu përfitoj
nga justifikimet e nevojshme)
Vërtetë se të gjithë njerëzit
dalin nga pallatet
(ka rënë tërmet)
dhe me bohçe nëpër duar
ikin kah livadhet.
Tri herë më të trishtuar kthehen
me duar të pluhurosura
dhe me ca zhurma
si boshllëku në kujtesë.
Pastaj
Përsëri heshtje e përbashkët.
Shtëpia
Jetoj në fund të qytetit
si dritat e rrugës që askush
nuk ia ndrron llambën.
Merimanga mbante muret e bashkuara
djersa duart tona të lidhura.
Nëpër vrimat e murit të gurtë
po fshihja arushin me pellush
duke e shpëtuar nga gjumi.
Ditë-natë kaloja pragun
duke u kthyer si bleta që
gjithmonë e gjen lulen e saj.
Ishte paqe kur u largova nga shtëpia;
Molla e kafshuar nuk ishte zbutur,
Mbi letër ishte pulla me shtëpinë e vjetër të braktisur.
Në hapësirat e qeta lëviz qëkur kam lindur
dhe tek unë boshësitë ngjiten
si dëbora që nuk e di
nëse tokës a ajrit i përket.
Kthim
Unë hap derën me ngurrim
Përmes dritës kap hapësirën
mbi qilim.
Më vjen të bërtas
Por jehona e dhomës së zbrazët
Është më e shpejtë se unë.
Nuk është djersa ime mbi bravën
dhe njollat e bardha të qafës sime
nuk i përkasin kësaj bote.
Mbeta në disa kujtime
të zhubrosura.
Shpirti im është një palimpsest i palindur
i një nëne të largët.
Prej këtej kalon mendimi i kthimit
me kërcitjen e lehtë të menteshave.
Hapsirën qjellore me një degë do zgjeroja
I pari farat do t’hidhja
që puplat të binin
prej dritës, poshtë
përherë të bardha.
Gjithçka
Gjithçka është përkëdhelje.
Dëbora shtrinte krahët
mbi kodra, unë me pëllëmbë
prekja trupin tënd si metri
që ç’mbështillet vetëm në gjatësi
mbi gjërat e tjera.
Gjithësia ekzistonte
që të lindnim në vende të ndryshme,
atdheu të ishte vera dhe gruri
që lidh dy kopshte
të panjohur ndër vete.
Dhe koha kalonte;
brenda vetes rrisnim frikën
admirimi tek të tjerët lindte.
Hijet tona fundoseshin
Në bunaret2 e helmuara
fjalët e thëna humbnin
dhe shfaqeshin si grimca qelqesh në rërën e plazhit,
gjysmake dhe të mprehta.
Gjithçka është kujtesë.
Ëndrra ishte pranë,
Ishte larg ajo që ëndërronim.
2 Pus (shën. i përkthyesit)









