HULUMTIMI MBI ARKTIKUN EKSPEDITA MË E MADHE E TË GJITHA KOHËRAVE

Anija Polarstern në veprim
Anija Polarstern në veprim: Në shtator të vitit 2019, anija kërkimore do të ngrijë në akullnaja për një vit. | Foto (Zuschnitt): © MOSAiC/Stefan Hendricks

Në shtator të vitit 2019, anija kërkimore gjermane Polarstern do të ngrijë në akullnajat e arktikut për një vit të tërë. 600 shkencëtarë e shkencëtare nga 17 shtete e hulumtojnë aty akullin tani më jo edhe aq të përjetshëm.

Nga Wolfgang Mulke

Asgjë nuk mund ta largojë nga kursi aq lehtë akullthyesin Polarstern. Kjo anije me lehtësi lëron pllakat prej akulli me një trashësi prej 1,5 metra. Edhe kur akulli është disa metra i trashë, kapiteni e vë në veprim anijen kërkimore gjermane, deri sa të jetë liruar rruga në ujërat e Arktikut. Anija Polarstern ka operuar si në Polin e Jugut ashtu edhe në atë të Veriut. Ndërsa tani, ekuipazhi po përgatitet për një udhëtim të paparë.
 
Ekspedita më e madhe e të gjitha kohërave fillon në shtator të vitit 2019 në vendin Tromsø të Norvegjisë: Anija Polarstern do të ngrijë për një vit në detin e Polit të Veriut dhe gjatë kësaj kohe do të lëvizë vetëm me ndihmën e lëvizjes të akullit. Hulumtuesit dhe hulumtueset e kësaj anije duan që të gjurmojnë të dhëna mbi hulumtimet klimaterike dhe ekologjike. Ata do të kalojnë dimrin me natë disamuajshe polare, kur Arktiku është një mjedis edhe më armiqësor ndaj njeriut se sa gjatë muajve me dritë. Në këtë operacion marrin pjesë 600 shkencëtarë dhe shkencëtare nga 17 shtete. Për këtë ekip kujdesen shumë akullthyes të tjerë dhe avionë; Transportimin e njerëzve dhe materialit e bëjnë helikopterët, mjetet e transportit me zinxhirë dhe sajat me motor. 

Një hulumtim i kushtueshëm në të ftohtin polar

Ky projekt quhet Multidisciplinary drifting Observatory for the Study of Arctic Climate (MOSAiC). Janë vlerësuar 120 milionë Euro për këtë aventurë njëvjeçare të kërkimit. Së pari është bërë testimi i kostumeve speciale të punës nga profesionistë të Institutit Alfred-Wegener (AWI) në Bremerhaven. Ato duhet t’i përmbushin kërkesat e posaçme, që në rast të rënies në ujin e ftohtë të mos ngrijnë dhe të mos tërhiqen në thellësi. Studiuesit dhe studiueset duan që të ndërtojnë kampe në një mollok akulli dhe të instalojnë një rrjet të pikave matëse disa kilometra të gjatë. 
 
„Të dhënat që do të rezultojnë nga ekspedita e MOSAiC do t’i ngritin njohuritë tona mbi arktikun në një nivel të ri“, thekson Ministrja Federale për Kërkime Anja Karliczek. Ky eksplorim polar bëhet nën udhëheqjen gjermane nga AWI, e stacionuar në Detin e Veriut. Ministria Federale e Arsimit dhe Kërkimit mbart një pjesë të madhe të shpenzimeve.
 
Ekspertët shpresojnë të fitojnë njohuri të reja, para së gjithash mbi zhvillimin e klimës. Kjo do të varet shumë nga  „ndodhitë lidhur me zhvillimet e motit në arktik“, thotë udhëheqësi i kësaj ekspedite Markus Rex. Nëse shtresa e akullit hollohet, nga oqeani do të del më tepër nxehtësi në sipërfaqe dhe atmosferë – gjë që kontribuon për ngrohjen e Arktikut dhe kështu vjen edhe deri te ndikimi ndaj klimës në Amerikën Veriore, Europë dhe Azi. Një nga qëllimet e kësaj ekspedite është që më mirë të kuptohen proceset në oqean, në akullin e detit dhe në atmosferë si dhe veprimi i tyre reciprok. „Drama e ngrohjes në Arktik nuk pasqyrohet plotësisht në modelet e sotme të klimës dhe pasiguritë lidhur me parashikimet e klimës për Arktikun janë të mëdha“, shpjegon Rex. 

Anija Polarstern në veprim © MOSAiC/Stefan Hendricks Anija Polarstern në veprim © MOSAiC/Stefan Hendricks Arktiku rajon i konfliktit?

Sa i përket shkencës, Gjermania është aktive në të dyja polet. Në fshatin më verior të botës, në Spitzbergen, së bashku me Francën udhëheqin një stacion të kërkimit. Në polin e Jugut, për një dekadë, Stacioni Neumayer III është në funksion për shkencëtarët. Hulumtimi i klimës është në fakt shkaku kryesor për një angazhim të tillë, mirëpo në Arktik, Qeveria Federale ka edhe interes politik. Tani për tani me të merren pesë ministri. Bëhet fjalë për lëndë të parë, e cila me shkrirjen e akullit do të jetë në dispozicion, por edhe për rrugë të reja, mbrojtjen e mjedisit, mundësi të ndryshme ekonomike dhe aspekte të mbrojtjes.
 
Edhe Shërbimi Federal i Inteligjencës (BND), i cili është përgjegjës për zbulime të ndryshme jashtë vendit, gjithashtu po ndjek ngjarjet rreth Polit të Veriut. „Arktiku, që në pjesën më të madhe është i pabanueshëm, ka potencialin që në të ardhmen të bëhet rajon i konfliktit “, shpjegon Shërbimi Sekret. Nga vendet fqinje ka pretendime të pronësisë që ndeshen rreth zonës që mendohet se e pasur me minerale, të cilat deri më sot nuk janë sqaruar deri në fund. Rreth gjysma e 20 milionë kilometrave katrorë të Arktikut shtrihet buzë pjesës kontinentale, në të cilat zona shtetet që ju përket bregdeti pjesërisht kanë të drejta sovrane për shfrytëzimin e këtyre resurseve.
 
Politikisht Gjermania asgjë nuk mund të merr ndonjë vendim në Arktik, ajo është çështje e shteteve të janë të përfaqësuara drejtpërdrejt dhe në mënyrë indirekte në Këshillin e Arktikut: Rusia, Norvegjia, SHBA, Kanada, Danimarka, Suedia, Islanda dhe Finlanda. Gjermania ka në fakt status vëzhgues dhe këtu bëhet fjalë para së gjithash për përdorimin e mundësive lidhur me mbrojtjen e mjedisit në këtë zonë të madhe. Ekonomikisht, hapësira polare gjithashtu nxit interes. Ndërmarrjet gjermane janë blerës të naftës dhe gazit nga Norvegjia dhe Rusia. Përveç kësaj, nëpërmjet makinerisë janë të përfshirë edhe në nxjerrjen e pasurive natyrore.

--------------------------------------------------------------------------------------------------------------

AUTOR

Wolfgang Mulke punon në Berlin si korrespondent i lirë për gazeta të ndryshme ditore lidhur me temat sociale, ekonomike, ekologjike dhe politike.

Copyright: Goethe-Institut, Wolfgang Mulke. Dieser Text ist lizenziert unter einer Creative Commons Namensnennung – Weitergabe unter gleichen Bedingungen 3.0 DeutschlandLizenz.