Hapësira e lirisë: Ndërmjet Shkupit dhe Kopenhagës

 Hapësira e lirisë: Ndërmjet Shkupit dhe Kopenhagës © Kontrapunkt

Hapësira e lirisë: Ndërmjet Shkupit dhe Kopenhagës

Projekti „Freiraum“ është i paramenduar të jetë një lloj pasqyre e Europës, të ndihet me imagjinatë dhe empati se si të tjerët e ndiejnë veten. Cilat janë problemet e njerëzve në qytetet europiane?
Pjesë e këtij projekti të madh është edhe Shkupi, falë asociacionit për zhvillim të teorisë kritike, aktiviteteve socio-kulturore dhe praktikave kulturore bashkëkohore “Kontaktpunkt”. Ata vendosën lidhje mes Shkupit dhe Kopenhagës.

Sa vlen liria sot në Europë? Kjo është pyetja fillestare që e parashtron projekti europian nga Goethe-Institut, i titulluar „Freiraum“ (Hapësira e lirisë). Ky projekt përfshin 38 qytete, ku nëpërmjet shkëmbimit të ndërsjellë të ekipeve hulumtuese shqyrtohen perspektivat e ndryshme mbi çështjet të cilat sot janë të rëndësishme për Europën:

  • Liria dhe identiteti – përplasjet mes lirisë së fjalës dhe lirisë së artit, nga njëra anë, dhe vlerat fetare, nga ana tjetër; konfliktet e shkaktuara nga lufta për të drejtat e grave dhe bashkësisë LGBT
  • Liria dhe ekonomia – si realizim i lirive themelore është i kushtëzuar nga gjendja ekonomike e njerëzve dhe kombeve; si treg i lirë neo-liberalshpeshherë i pengon njerëzit lirshëm të zhvillohen
  • Liria dhe Europa – perceptime kundërthënëse për BE-në si garanci për liri dhe pavarësi, nga njëra anë, dhe si zgjedhë e cila e kufizon autonominë, nga ana tjetër.
Projekti „Freiraum“ është i paramenduar të jetë një lloj pasqyre e Europës, të ndihet me imagjinatë dhe empati se si të tjerët e ndiejnë veten. Cilat janë problemet e njerëzve në qytetet europiane?

Pjesë e këtij projekti të madh është edhe Shkupi, falë asociacionit për zhvillim të teorisë kritike, aktiviteteve socio-kulturore dhe praktikave kulturore bashkëkohore “Kontaktpunkt”. Ata vendosën lidhje mes Shkupit dhe Kopenhagës.

Ideja e tyre është të xhirojnë një film dokumentar, në të cilin nëpërmjet rrëfimit të historive personale, (por edhe mendimeve dhe reflektimeve) të pesë personave, të cilët jetojnë dhe punojnë në Kopenhagë, ndërsa janë me prejardhje nga Maqedonia, t’i hulumtojnë temat lidhur me çështjen e lirisë dhe lidhshmërinë e saj me vendin e banimit, çështjet e kufijve, qytetet si hapësirë për realizimin e historive mbi lirinë, çështjet e lëvizjes, migracionit dhe eksperiencave të reja të diasporës.

Përpara nisjes për në Danimarkë, pyetja ime për Iskra Geshkoskën në Shkup, e cila është autore e idesë dhe skenarit, është: Si do të jetë qasja e tyre dhe vallë a nuk do të jetë ky edhe një tregim i një krahasimi të pamundshëm – këtu dhe atje?

„Jo. Dëshirojmë që ta parashtrojmë pyetjen mbi lirinë dhe kufijtë fizik dhe kufizimet fizike, kufijtë e përkatësisë, ndikimin e udhëtimeve në perceptimin e hapësirës fizike dhe lirisë personale. Shumë është me rëndësi për ne t’i vëmë në kontekst në vetë qytetin. Do të kërkojmë nga pjesëmarrësit në film të na tregojnë ndonjë histori lidhur me ndonjë lokacion të veçantë në Kopenhagë. Do të orvatemi që peizazhin urban të Kopenhagës ta vendosim në dialog me atë që pjesëmarrësit e thonë. Dëshirojmë që historinë e tyre ta përcjellim nëpërmjet një lloji të perspektivës së trefishtë – shteti i ri, qyteti i ri, mënyra me të cilën historitë e tyre janë në dialog me qytetin“, mu përgjigj Iskra.  

Ata janë marrë vesh për intervista me pesë bashkëbisedues me sfond të ndryshëm ekonomik dhe kulturor. Disa prej tyre janë shumë mirë të integruar në shoqërinë daneze, ndërsa të tjerët ende luftojnë për pozitën e tyre, madje edhe ndoshta nuk ndihen edhe aq rehat në mënyrën daneze të jetesës. Vallë ata kanë dilema se i takojnë asaj shoqërie dhe atij konteksti kulturor?

E pyes Vladimir Jankovskin se ku do ta xhirojnë bashkëbiseduesin e parë.
„Do të kërkojmë nga pjesëmarrësit e filmit të na rrëfejnë ndonjë histori lidhur me ndonjë lokacion të veçantë të Kopenhagës. Peizazhin urban të Kopenhagës ta vendosim në dialog me atë që e paraqesin bashkëbiseduesit tanë“.

Takimi i parë është me Vladimir Todorovskin, i cili merret me biznesin e ushqimeve. Ai në Danimarkë ka ardhur para tridhjetë vitesh, kur kishte vetëm 24 vjet. Tani jeton në Osterbro – një nga pjesët më multikulturore të qytetit.

„Shumë shpejtë e kam ndier këtë qytet si të ishte i imi, u rrita bashkë me të, ndërsa, kur sot bëj krahasim mes Kopenhagës dhe Shkupit, mund të them se Kopenhaga është vendi ku jetoj dhe më tepër më përshtatet, e kur më kujtohet Shkupi, mendoj në fëmijërinë dhe rininë pa brenga dhe ndjenja për humor. Edhe ajo ndonjëherë më mungon“, shton ai.

Ai na tregon më tej se këtu në Kopenhagë mund të bëjë diçka që për të është akt i lirisë. „Këtu lirinë e ndiej si një anije që lundron me erë pas shpine. Këtu në Kopenhagë gjithmonë frynë një erë“, ashtu e ndiej lirinë.

Vladimiri e çon ekipin nga Shkupi në Asistens (Assistens Cemetery), që në fakt janë varreza, aty janë varret e danezëve të famshëm si Hans Kristian Andersen dhe Soren Kirkegard, por më tepër duket si një park dhe njerëzit vijnë këtu me fëmijët e tyre në ditët me diell, rreziten, drekojnë shëtisin...

„Këtu më pëlqen ajo që, edhe pse qyteti i ka të gjitha karakteristikat e një metropole, me koncerte të mëdha, shfaqje teatrale gara sportive edhe mundësinë të humbësh në anonimitet, nëse dëshiron mund të shoqërohesh me njerëzit sikur je në ndonjë lagje. Ky qytet më ka dhënë formë, thjeshtë sillesh ashtu sikur qyteti edhe pret nga ana jote. Nga ana tjetër, në fqinjësinë time mund të ndikoj. Gjatë kohë më nuk ndihem ardhacak, i huaj. Menjëherë nga ardhja ime këtu u mundova ta mësoj gjuhën, kështu që për disa vjet arrita të ëndërroj në danisht.

Por më e rëndësishme ishte që dalëngadalë e humba ndjenjën e shqetësimit dhe frikës për të kritikuar. Unë paguaj tatim si të gjithë të tjerët, votoj, tërësisht jam pjesë e kësaj shoqërie dhe kam të drejtë të kritikoj, kam të drejtë të hidhërohem, të jap këshilla dhe kam të drejtë të gëzohem si të gjithë danezët që janë lindur në Danimarkë “.  

„Meatpacking District“, pjesë e Vesterbro, ku Vladimiri dhe Gjorgje Jovanoviq duhet të takohen me bashkëbiseduesen tjetër është një vend jashtëzakonisht i gjallë, me dyqane të vogla, kafene nga më të ndryshmet përplot me të rinj... Ajo vjen me biçikletë, këtu mjet i zakonshëm për transport (një leksion që shkupjanet akoma duhet ta mësojnë për t’u përballur me ndotjen e ajrit).

Mila Lukiq është nga Shkupi, por ka jetuar në disa vende të ndryshme dhe thotë se historia e saj është e ngjashme me atë të Kopenhagës: „Konstanta e vetme është se rregullisht ndryshon“.
Ajo thotë se Kopenhaga është shtëpia e saj. „Këtu ndihem e lirë në mënyra të ndryshme, një liri si liri personale, siguri. Mund të shprehesh ashtu si e mendon, pa marrë parasysh se dikush pajtohet me mendimit tënd apo jo. Liria është edhe financiare, të kesh mundësi të mjaftueshme ta ndërtosh jetën ashtu siç dëshiron. Dikush dëshiron shumë të udhëtojë, dikush dëshiron të lexojë, dikush tjetër tërë pasurinë e investon në biçikleta, të tjerët duan mobilieri të dizajnuara, pra ka shumë mënyra që të shprehesh ashtu si të përshtatet.

Për mua, vetëm identiteti individual është identitet, pra nuk e ndërlidh me përkatësinë ndaj ndonjë kombi apo grupi. Me rëndësi është kush jam unë, çfarë lë pas meje, çfarë të mire bëj “, thotë Mila. 

Ajo ka ardhur të Danimarkë si studente dhe tregon se nga ajo kohë deri sot, kur edhe ndihet si daneze, ka kaluar një proces të rëndë individual për ta gjetur veten shoqëri. Më pas Mila thotë se ajo që nuk i pëlqen në Kopenhagën bashkëkohore është tendenca e getoizimit të disa pjesëve të caktuara. „Vërehet mospasja e vullnetit nga vendasit e vjetër të ndryshojnë ashtu siç ndryshon qyteti. Nuk iu vjen mirë që ka religjione të tjera, kombe të tjera, figura të tjera. Kjo nuk iu pëlqen dhe kjo është pak primitive “.

Në ndërkohë, nga Berlini, ku edhe jeton, arrin edhe Elena Veljanovska, e cila ka lënë të takohet me Nada Prla, një artiste figurative.

Nada ka jetuar në Shkup dhe Londër, ndërsa tani në Kopenhagë. Lidhur me eksperiencën e saj në mjedise të ndryshme thotë: „Është për t’u çuditur, sapo të shkoj prej ndonjë vendi më kujtohet se si kam qenë e integruar në atë shoqëri. Mirëpo, si artist asnjëherë nuk jam ndier deri në fund si pjesë e një shoqërie. Me vetë faktin se je artist, më duket se nuk i përkas shoqërisë në mënyrën që i përkasin njerëzit tjerë. Mendoj se të gjitha vendeve ku kam jetuar në të njëjtën kohë edhe u përkisja edhe nuk u përkisja. Ekzistojnë nivele të ndryshme për një ndjenjë të tillë: Kur ndihesh rehat në ndonjë mjedis? A është momenti kur dikush të pyet se si të arrijë deri në ndonjë vend të caktuar të qytetit, ndërsa ti mund t’i tregosh? A është momenti kur të gjithë bisedojnë në danisht, ndërsa ti ndihesh e qetë pasi që e njeh gjuhën? A është momenti kur pranohet ajo që ti e bën? Mendoj se është një situatë e dhimbshme. Dëshiron të jesh pjesë e të gjitha atyre mjediseve, ndërsa nuk mund të arrish. Me siguri e di se dua të integrohem, por jo edhe të asimilohem.

Në pyetje, në këtë moment çfarë do të thotë liri, Nada pa dilema përgjigjet: „E drejta e fjalës dhe të shprehurit. Ajo është liria më e madhe, për këdo. Liria e shprehjes do të thotë se i përket dhe funksionon në një shoqëri “. Ajo e kujton rastin kur si artist mori pjesë me projektin e saj në rivendosjen e Murit të Berlinit, dhe dikush e kishte pyetur se si mund t’i komentojë situata të tilla kur nuk jeton në Gjermani. „Me të vërtetë më preku ajo pyetje dhe çdoherë më kujtohet kur bëj ndonjë vepër në hapësira publike. Deri në çfarë mase mund të komentoj problemet në një shoqëri, sa jam pjesë e asaj shoqërie. Prandaj e kam zgjedhur artin në hapësira publike, pasi që mendoj se komunikon me tema të rëndësishme “.

Venka Simovska është profesoreshë e psikologjisë në Universitetin Arhaus në Kopenhagë (Danish School of Education, Aarhus University). Ajo jeton në Danimarkë nga viti 1999 dhe qytetin e konsideron si shtëpinë e vet. Jeton në lagjen Holmen, e cila dikur ishte zonë ushtarake, ndërsa sot është një zonë piktoreske dhe e qetë, me banesa të shtrenjta dhe më pak të shtrenjta, por edhe me akademi artistike, moderne dhe e re, por sa i përket dizajnit dhe arkitekturës bazohet në traditë.  Fqinjë të tyre janë edhe njerëz të cilët gjatë tërë vitit jetojnë në anije. „Ka një pluralizëm të stileve të jetës dhe kushteve socio-ekonomike në të cilat jetojnë njerëzit në këtë ishull, në kombinim me fakultetet dhe të rinjtë, ky është një vend inspirativ dhe fascinues, veçanërisht për faktin që fqinjët e lagjes përherë janë të ftuar në ekspozitat apo filmat e studentëve nga filmi ose arkitektura“, thotë ajo.

Lokacioni i dytë, të cilin e zgjedh Venka si pikë të rëndësishme të lidhjes së idesë për liri është Kristiania. Një lagje alternative, e cila është krijuar  në vitet e shtatëdhjeta, kur një grup të rinjsh i uzurpuan barakat e ushtarake që gjendeshin aty. „Bashkësi brenda një bashkësie, qytet brenda qytetit, shoqëri brenda një shoqërie me rregulla vetjake të funksionimit, në njëfarë mënyre për mua është një demonstrim i fitimit të lirisë. Kjo bashkësi jep një porosi se liria nuk dhurohet, por fitohet në mënyra konstruktive dhe kreative, e jo në mënyrë militariste.“

Në pyetjen, se vallë ndihet si ardhacakë në këtë qytet, ajo përgjigjet se në çdo qytet ndihet ardhacakë apo emigrante.

„Nuk i përkas asnjë qyteti, asnjë kombi. Për mua përkatësia nuk është e fiksuar, e rrënjosur, ajo është fluide, ngjashëm si identiteti. Formohet dhe reformohet me ndryshimin e mënyrës së jetesës apo vendit të jetesës. Ndonjëherë ndryshon vetëm nëpërmjet një bisede të vetme, me ndryshimin e bashkëbiseduesit ose në mënyrë intime brenda në botën time të trazirave mendore. Këtu, për shembull, flas në gjuhën angleze, të tjerët më së shpeshti më drejtohen në gjuhën daneze, ndonjëherë ëndërroj në maqedonisht, në shtëpi flas maqedonisht, ndonjëherë ëndërroj në danisht apo anglisht. Më së shpeshti shkruaj dhe hulumtimet i bëj anglisht, shënimet i mbaj maqedonisht...ndonjëherë të gjitha gjuhët më përzihen dhe vështirë e kam të gjej fjalët e duhura, atëherë flas me heshtjen. Nuk e di vallë gjithë kjo është karakteristikë e ardhacakëve, apo personale e imja, sepse unë jam ndier edhe kur kam jetuar në Maqedoni. Në rini të gjitha librat  kam lexuar në serbo-kroatisht, në kohën e ish-Jugosllavisë. Vallë edhe atëherë isha migrante? Me siguri se po “, thotë Venka Simovska.

Ajo ka ditë të lirë nga puna dhe u ramë dakord të vizitohet Kronborg, kështjella e princit Hamlet. Atje, në burgjet e errëta të nëndheshme, nuk mund të mos pyetesh: Çfarë është kalbur në mbretërinë e Danimarkës?

„Danimarka mund të jetë më e mirë në zgjerimin e hapësirave të lirisë për ato grupe njerëzish që janë të margjinalizuar, që nuk janë të privilegjuar, që për shkaqe të ndryshme jetojnë në margjinat e qelizës sociale. Derisa ky vend të jetë i suksesshëm në zgjerimin e atyre hapësirave të lirisë për grupe të caktuara njerëzish, siç janë identitetet e ndryshme seksuale, format e ndryshme të familjes e të tjera. Ky nuk është rasti me refugjatët, të huajt, emigrantët. Mendoj se këtu mund të bëhet shumë të tepër dhe shumë më mirë, por për fat të keq, klima politike nuk është e orientuar pozitivisht ndaj këtyre transformimeve sociale. Besoj se kjo do të ndodhë, por tani për tani, për fat të keq, gjërat zhvillohen në drejtim të kundërt“, thotë Venka.

Ekipi i Kontrapunkt nga Shkupi u takua disa herë dhe në lokacione të ndryshme edhe me Daniel Serafimovski.

Me qëllim që të na i tregojë disa mënyra specifike të jetesës, bashkësitë e ndryshme të qytetit, hapësirat e lirisë, na shpie thellë në qytet, larg na shtigjet e turistëve. Ai është arkitekt, maqedonas i lindur në Danimarkë, më së shumti ka jetuar dhe ka punuar në Britani, ndërsa ka qëndruar edhe në Itali. „Kur flas për arkitekturën, më mirë të flas në anglisht “. Me ne ai flet maqedonisht, me danezët flet danisht.

Si arkitekt interesohet për mënyrat specifike të jetesës në bashkësi, të cilat ekzistojnë në Kopenhagë dhe të cilat ofrojnë një mënyrë alternative të organizimit të hapësirës së jetesës. Përveç Kristianisë, e cila është e njohur, ka edhe disa bashkësi në të cilat njerëzit vetë e organizojnë dhe udhëheqin me hapësirën e jetesës dhe rregullat e banimit. Një nga ato lagje daton nga shekulli i 19-të dhe në fakt është shembulli i parë i banesave sociale në Danimarkë.

Daniel Serafimovski thotë se më së shumti ka jetuar në Kopenhagë dhe e ndien si qytetin e vet. Danimarka është e njohur për nga dizajni bashkëkohor dhe për nga stili që dallohet me modesti dhe me vëmendje të madhe për atë se si të përmirësohet jeta e njerëzve“.

Në pyetjen, çfarë është liria, ose më saktë ku ai ndihet më i lirë, duke e pasur parasysh se ka jetuar në disa qytete europiane, ai përgjigjet: „Për mua është gjëja më e rëndësishme të identifikohesh si danez ose maqedonas. Në Danimarkë ndihem si në shtëpi, pas gjithë atyre viteve që kam jetuar në Britani dhe në Shkup u ktheva në Kopenhagë dhe është interesante të shihet se si ka ndryshuar qyteti. Është zgjeruar shumë, u shfaqën lagje dhe hapësira të reja. Për disa njerëz ndjenjat e mia janë ambivalente, për shembull nuk më pëlqen mënyra se si transformohet porti, me ndërtesa të mëdha, që mendoj se dallon nga mënyra daneze, por edhe e kuptoj se me atë qyteti u bë më internacional. Gjithashtu, disa zona të caktuara të qytetit u bënë më dinamike. Mirëpo, ka edhe ndryshime që janë rezultat i qeverisë me orientim djathtist, e cila është në pushtet disa vite me radhë, si dhe të ekonomisë me orientim neo-liberal“, thotë Danieli.

Cilat janë hapësirat e lirisë në Europën bashkëkohore?

A është liri kur njeh më tepër gjuhë, kur je shkolluar në më tepër shtete, kur mund të zgjedhësh si të jetosh, çfarë dhe sa të punosh, a është ajo e drejta e zgjedhjes, liria e fjalës? Eksperienca e lirisë është synimi më i madh dhe kurthi më i madh, liria është diçka që rregullisht kërkohet. Diçka që kurrë nuk ka definicion final dhe varet nga kontekste të ndryshme politike, klasore dhe ekonomike. Pikërisht për këtë nuk ka përgjigje finale, por vetëm paralajmërime se sot në Europë ndoshta është e rrezikuar liria që dikur është fituar.