Mëngjesi për konferencë shtypi „Kultura dhe arsimi ndërkombëtar nuk janë elemente anësore “

Klaus-Diter Lehman (Klaus-Dieter Lehmann) dhe Johanes Ebert (Johannes Ebert) i përgjigjen pyetjeve të shtypit
Foto: Viktoria Tomaschko

Në një konferencë shtypi në Berlin, Goethe-Institut prezantoi temat kryesore të punës së vet në vitet e ardhshme. Në fokus qëndrojnë rrjetëzimi ndërkombëtar i pozicioneve feministe dhe bashkëpunimi gjermano-francez.
 

Në një konferencë shtypi në Berlin, Klaus-Diter Lehman, President i Goethe-Institut, foli lidhur me kushtet e politikës së jashtë mbi kulturën dhe arsimin: „Interesi i përbashkët për Gjermaninë në botë duhet të jetë interesi i një shoqërie të hapur e të lirë. Dhe kjo duhet të përfaqësohet në mënyrë ofensive. Goethe-Institut e përfaqëson këtë qëndrim, dhe dëshirojmë të kemi mbështetje politike për të punuar si dhe resurset e nevojshme par ta realizuar këtë.“ Johanes Ebert, Sekretar i përgjithshëm i Goethe-Institut, thotë: „Aktualisht bëhet fjalë për çështje të mëdha, për ardhmërinë e një Europe paqësore dhe të drejtë, për krizën e sistemit të vlerave liberale dhe për sulmet e shtuara ndaj demokracisë. Kultura dhe arsimi ndërkombëtar nuk janë elemente anësore, por faktor qendror në një shoqëri që mbështetet në shkëmbimin e njohurive. Në kohën e shënimit në rritje të kufijve politik, ekonomik dhe kulturor, qëllimi është që t’i jepet një jetë e re idealit europian të mirëkuptimit mes popujve. Për këtë, në vitin 2018 dhe 2019 na duhet mbështetje më e fuqishme, edhe nga ana politike, për të vendosur kursin e së ardhmes.“

Johanes Ebert dhe Klaus-Diter Lehman në konferencë për shtyp Foto: Viktoria Tomaschko

RËNDËSIA E BARAZISË

Në vitet që pasojnë, Goethe-Institut do të përqendrohet në diskurset feministe dhe në pozicionet artistike, si dhe në programet që fuqizojnë femrat, në veçanti qasjen e tyre në arsim dhe në pozitat kryesore shoqërore. Klaus-Diter Lehman: „ Goethe-Institut,  ka vite me radhë që me ndërgjegjësim promovon fuqizimin e grave përmes programeve kulturore dhe politikës arsimore. Kjo do të bëhet në disa fusha: nëpërmjet një debati artistik dhe intelektual, nëpërmjet promovimit të synuar dhe rrjetëzimit të artistëve të formuar dhe nëpërmjet programeve edukative për vajzat dhe gratë e reja.“ Lehman theksoi: „ Shpeshherë mbetet pa u përmendur në opinionin gjerman se ka edhe aktivistë, akademikë dhe artistë në vende si Egjipti, Tunizia ose Libani, të cilët merren me çështjet gjinore. Projekti ,Tashweesh‘ trajton debatin e diskutueshëm mbi traditën, islamin dhe feminizmin në një nivel intelektual dhe artistik. Mirëpo, kjo ka të bëjë edhe me praninë e grave dhe pikëpamjen e tyre për botën në industritë kulturore akoma të mbizotëruara nga meshkujt, duke zgjeruar kështu kuptimin shoqëror të rëndësisë së të drejtave të barabarta.“

THEMELI I BASHKIMIT EUROPIAN

Sekretari i përgjithshëm Johanes Ebert njoftoi se Goethe-Institut është aktualisht në bisedime me Zyrën e Jashtme Federale dhe Ministrinë e Jashtme Franceze si dhe me Institutin francez për të zgjeruar bashkëpunimin gjermano-francez. „Ne shohim tre qasje të mundshme për këtë: intensifikimin e programeve të përbashkëta, vendosjen në lokale të përbashkëta dhe krijimin e instituteve të reja gjermano-franceze. Edhe nëse bashkëpunimi gjermano-francez nuk mund të shihet pa kontekstin e përgjithshëm europian, ai është dhe mbetet themel i Bashkimit Europian.“