Flipped Classroom
Mësoni gjermanishten me videomesazh

Nxënia e anasjelltë me video mësimore
Foto (Prerje): © Andrey Popov - Fotolia.com

Si tingëllon Ü-ja gjermane? Si ndërtohet një fjali pasive? Nxënësit e gjuhës gjermane këtë e mësojnë nga librat profesional, ose nga videot shpjeguese të mësuesve të tyre.

Markus fon Amsberg (Marcus von Amsberg) është një mësues gjerman pranë një shkolle në një lagje të Hamburgut, në të cilën mësojnë së bashku fëmijë dhe adoleshentë me shkathtësi të ndryshme. Në klasën e tij ka nxënës me nevoja të posaçme si dhe gjimnazistë. Për t’ua mundësuar një përgatitje individuale të fushave të reja tematike, Markus fon Amsberg punon me video mësimore, në të cilat, materialet që vetë i krijon, i shpjegon në mënyrë plotësuese. Videot përfshijnë fusha tematike si: gjymtyrët e fjalisë, pjesët e ligjëratës apo format kohore dhe janë të ndërtuara ngjashëm si një prezantim, ku shpjegimet e duhura janë vendosur si komente me zë.

„Pjesorja përbëhet nga një parashtesë, në gjuhën profesionale prefiks, rrënja e foljes dhe mbaresa“, shpjegon Amsberg në fillim të videos së tij, para se t’i prezantojë format veç e veç dhe të jep shembuj për to. Nocionet më të rëndësishme i shënon me ngjyra të ndryshme, ashtu sikur në tabelë të bardhë. Zakonisht nxënëset dhe nxënësit duhet të shohin një video në shtëpi për t’u përgatitur për orë mësimore, atëherë në shkollë mbetet më shumë kohë për të mësuar. „Flipped Learning“ apo „Flipped Classroom“ – pra, nxënia e anasjelltë quhet kjo metodë mes praktikuesve si Markus fon Amsberg.


Me këto video mësimore, të cilat mund të shihen në  ivi-education.de dhe Youtube falas dhe pa reklama nuk punojnë vetëm nxënësit e tij. Për çdo ditë Marcus von Amsberg merr informata kthyese, si për shembull nga nxënësit e DaF-it, të cilët i kanë parë materialet e tij: Kolegët e mi ndonjëherë edhe më kanë kritikuar se në videot e mia flas shumë ngadalë dhe qartë dhe shqiptoj gjithçka që gjendet në prezantimin tim. Nxënësit e dobët dhe ata që gjuhën gjermane nuk e kanë gjuhë amtare janë mirënjohës sepse i kuptojnë shpjegimet e mia dhe njëkohësisht në këto video mund të shohin model të të shprehurit“, thekson mësuesi i gjermanishtes.

SECILI sipas RITMIt të VET

Edhe Birgit Jensen, profesoreshë e Gjermanistikës në Universitetin e Karolinës Lindore (East Carolina University), përdor gjithashtu video shpjeguese të cilat vetë i krijon, me qëllim që studentëve t’ua bëjë gjuhën gjermane më të afërt: „Në orët mësimore gjithmonë ndodh që disa të jenë mërzitur, derisa të tjerët nuk e kuptojnë materialin, pasi që janë më të ngadalshëm ose u mungojnë njohuritë themelore. Videot u ofrojnë mundësinë studentëve që të përvetësojnë njohuri themelore, të pavarur nga koha të përsërisin sqarimet dhe definicionet ose të kapërcejnë pjesë të caktuara, përmbajtjet e të cilave tanimë i kanë të njohura.“

Birgit Jensen përdor video në mësimdhënien e gjuhës së huaj edhe për sqarime gramatikore për gjuhën amtare, të cilat studentëve Tuaj u nevojiten si bazë për përvetësimin e gjuhës gjermane: „Shumica nuk e dinë çfarë është një mbiemër apo një fjali nënrenditëse në gjuhën angleze, kështu që kur unë prezantoj fenomene gramatikore nuk mundem thjeshtë vetëm t’u referohem atyre. Në rast se këtë e prezantoj me anë të një videoje, do të më mbetet më shumë kohë që me pjesëmarrësit në mënyrë autentike të komunikoj në gjermanisht.“

kursimi i kohës së çmuar të mësimdhënies

Metoda e mësimdhënies Classroom/Flipped Learning fillimisht është përdorë në SHBA dhe për rreth tre vjet është bërë gjithnjë e më e preferuar. Ndryshe nga mësimi klasik nëpërmjet instruksioneve mësimdhënia bëhet nëpërmjet detyrave të shtëpisë, kështu që koha e shkurtë e mësimit mund të përdoret për ushtrimin e përmbajtjeve mësimore.

Me ndihmën e videove nxënësit mund t’i kuptojnë më mirë përmbajtjet mësimore dhe eventualisht më vonë gjatë orëve mësimore të sqarohen problemet e të kuptuarit. „Para së gjithash, nxënësit do të udhëzohen nga ana e mësuesve, nëse bëhet fjalë për çështje individuale dhe zgjidhje të problemeve“, shpjegon mësuesi i gjimnazit Feliks Fenrih (Felix Fähnrich). Së bashku me kolegun e tij Karsten Thejn (Carsten Thein) ai përdor principin e Flipped Classroom kryesisht në lëndën e matematikës. Në ndërkohë, ai gjithashtu bashkëpunon me një shtëpi botuese për libra mësimorë dhe rregullisht i përcjell eksperiencat e tij në ligjërata dhe Workshope. Falë aplikacioneve adekuate, edhe mësuesit me më pak afinitete teknike mund të krijojnë video shpjeguese.

Me rëndësi është të ketë përmbajtje të shkurta dhe të përpikta

 Video shpjeguese me cilësi të lartë. Me këtë pajtohen ekspertët se përmbajtjet mësimore i shprehin shkurtë, në mënyrë të strukturuar dhe  të përpiktë. Mënyra ideale do të ishte që të mos jenë më të gjata se gjashtë minuta. „Nxënësit bezdisen kur dikush filmon një prezantim dhe në të rregullisht përsëritet. Në videot e mira çdo fjali është e menduar mirë“, thotë Markus fon Amsberg. Birgit Jensen gjithashtu në videot e saja i kushton shumë rëndësi humorit: „Me qëllim që studentët e mi t’i shohin videot e mia shpjeguese, duhet që t’i motivoj ata. Kështu për shembull, për të qenë më të lirë, në videot e mia të sintagmave parafjalore vendos Beatles-Song She came in through the bathroom window, gjatë së cilës natyrisht edhe duhet të kemi kujdes për të drejtat autoriale.“
 

Krijimi i videove të mira mësimore, pra kushton edhe kohë. Por, ashtu si të gjitha materialet mësimore me cilësi të lartë, mund të përdoren në mënyrë të përsëritur. Përveç kësaj, ato janë në dispozicion online për të gjithë nxënësit dhe kolegët e interesuar. „Në SHBA, me ndihmën e Khan Academy në këtë mënyrë është krijuar një sistem jashtëzakonisht i madh pa pagesë dhe në dispozicion për të gjithë“, përgjërohet Feliks Fenrih. Meqenëse materialet në gjuhën angleze janë vetëm kushtimisht të përshtatshme për nxënës gjermanë, ai dëshiron që të mbështesë një rrjet mes kolegëve edhe në vend, mes tjerash nëpërmjet portalit umgedrehterunterricht.de, ku mësuesit do t’i shpallnin materialet e tyre dhe do të shkëmbenin mendime lidhur me përvojat e tyre.