Projekti i komunitetit në Mexiko-City
Kopshtet rebele

Një ndihmës vullnetar në kopsht i ujitë bimët
20 deri në 25 persona punojnë në Huerto Roma Verde. Këtij numri i shtohen edhe ndihmësit vullnetarë. | Foto (detaje): © Irving Cabello

Në Kopshtin Huerto Roma Verde, mund të lini pas jush për pak kaosin dhe ndotjen e ajrit në Mexico City. Është një projekt i përbashkët eksperimental në të cilin kërkohen zgjidhje të qëndrueshme për sjelljen e konsumatorëve në mega-qytete.

Kopshti Huerto Roma Verde duket si një oazë e lulëzuar në mes të shkretëtirës përreth makinave, zhurmës, çimentos, njerëzve që nuk janë në qejf dhe smogut. Sapo kaloni përmes portës, të bërë nga dhjetëra bidona uji të grumbulluar në formë cilindri, me një goditje gjithçka ndryshon: pemë, shtigje zhavorri, mure shumëngjyrëshe prej materialesh natyrore dhe një atmosferë tërësisht e relaksuar.  

„Qëllimi ynë është të lidhim njerëzit me mjedisin e tyre. Me ndihmën e edukimit mjedisor, ne duam t'i afrojmë njerëzit dhe natyrën dhe kështu të iniciojmë lëvizjet e rezistencës, si dhe proceset e vetë-ripërtëritjes dhe transformimit”, shpjegon Paco Ayala, i cili ka nisur projektin Huerto Roma Verde nëntë vjet më parë.  

Paco Ayala
Paco Ayala u rrit në lagjen Roma pranë qendrës historike në Mexico City. Nëntë vjet më parë ai vendosi të transformojë një copë toke të shkretë në një eksperiment socio-ekologjik. | Foto (detaje): © Irving Cabello
Trualli, pak më shumë se 8.000 metra katrorë, dikur ishte pjesë e Multi-familjarit Juárez-it, një vendbanim me disa shtëpi banimi për më shumë familje e që u shkatërrua në tërmetin e madh të vitit 1985. Prona ishte djerrë për 27 vjet dhe u shndërrua në një multi-deponi nga fqinjët. Ayala, i cili e përshkruan veten si një “zejtar i shoqërisë”, u rrit shumë afër këtij vendi dhe vendosi t'i japë kësaj pjese të lagjes një qëllim të ri.  

Huerto Roma Verde është, siç edhe sugjeron emri i tij, një kopsht perimesh. Në të njëjtën kohë, është shumë më tepër se kaq. Në fillim, Ayala dhe bashkëpunëtorët e tij bënë Mandala-n, siç e përshkruajnë rrethin e brendshëm, në të cilin ndodhen lehet e ngritura. Nga atje, projekti vazhdoi të rritet në mënyrë organike. “Për lehet në Mandala duhet të ketë dhe të rigjeneruar, me fjalë të tjera: kompostim”, thotë Simón Astorga, i cili koordinon organizimin shoqëror në kopsht.  

Huerto Roma Verde tani ka një kënd kompostimi në të cilin materiali organik shpërbëhet në tre mënyra të ndryshme; një koleksion farash bimore; një qendër riciklimi për mbetjet e ngurta; një kullë grumbullimi që mbledh ujërat e shiut; disa kafshë fermash si dhe shumë salla takimesh, duke përfshirë një amfiteatër për organizime të ndryshme.  

Një lehe e ngritur plotësisht funksionale
Një lehe e ngritur plotësisht funksionale për rritjen bio-intensive të perimeve: Është dy herë më e thellë se një lehe e zakonshme për të siguruar hapësirë të mjaftueshme për rrënjët, tokën dhe kompostimin e pasur me lëndë ushqyese. | Foto: © Irving Cabello

Rilidhja e indit shoqëror 

Ayala është i sigurt se ne jemi në prag të një ndryshimi paradigme të ngjashme me atë që ndodhi tre shekuj më parë në Epokën e Iluminizmit. Sipas tij, është koha për të parë biologjinë, njohuritë intuitive dhe feminitetin si tregues drejt së ardhmes.   

Prodhimi aktual masiv i ushqimit po e shkatërron planetin. Sipas një raporti të Këshillit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, përdorimi i tokës në bujqësi dhe pylltari është përgjegjës për rreth 23 përqind të gazrave serrë të prodhuara nga njeriu. Nëse, për shembull, merret parasysh pastrimi i zonave pyjore për qëllime të përdorimit bujqësor, atëherë sistemi i prodhimit global të ushqimit do të ishte përgjegjës për mbi 30 për qind të këtyre emetimeve.  

instalim të bërë me kapakë plastike
“Pyetja është: Si mund ta shkatërrohet Toka Nënë me një kafe? Përgjigja: Me një gotë për një përdorim në ditë”, thotë Símon Astorga, i cili koordinon organizatën shoqërore në kopsht dhe tregon një instalim të bërë me kapakë plastike të ngjitur në një pemë. | Foto: © Irving Cabello
Megjithatë, nuk është vetëm prodhimi i pastër i ushqimit që ka një ndikim të rëndësishëm në planet, por edhe mbiprodhimi dhe shpërdorimi. Sipas një raporti të programit mjedisor të OKB-së dhe organizatës britanike WRAP, mbi 931.000 tonë ushqim përfunduan në plehra në vitin 2019, rreth 17 përqind e prodhimit global. Në Meksikë, një familje hedh mesatarisht 94 kg ushqim në vit. Kjo i vendos meksikanët në pozitat kryesore në një krahasim me Amerikën Latine. 

Nëse këto mbetje nuk hidhen siç duhet, do të vijë deri te emetime të jashtëzakonshme të metanit dhe CO2, të cilat do të çojnë përpara ndryshimin e klimës. Vetëm në Mexico City prodhohen rreth 13.000 tonë mbeturina çdo ditë, që është mbi një kilogram e gjysmë për person. “Ne jetojmë në një shoqëri konsumatore në të cilën gjenerohen sasi të konsiderueshme mbetjesh të ngurta dhe organike. Këto mbetje duhet të trajtohen ndryshe në të ardhmen dhe duhet të konsumojmë më me vetëdije”, konkludoi ai. 

Ayala është e bindur për ndikimin social të Huerto Roma Verde. Prandaj ai i ka vënë vetes tre synime të qarta për punën e tij: rezistencën, autopoezën, ose vetëpërtëritjen, dhe transinformimin, pra kjo do të thotë riorganizimin dhe ekuilibrin. Për të qenë në gjendje të zbatohet kjo dëshirë, duhet të rinovohet struktura sociale, dhe kjo është pikërisht ajo që ky vend i ka vendosur vetes për detyrë: duhet të krijohet një rrjet përmes të cilit mund të rregullohet lidhja e shkatërruar midis tokës dhe njerëzve.    

Rrebellimi kundër qytetit 

Në Huerto Roma Verde zbatohen propozime eksperimentale për zgjidhjet e krizës mjedisore. Rritja e ushqimit është sigurisht thelbësore: organike, sezonale, rajonale, plot me lëndë ushqyese. Ajo që rritet këtu u shitet banorëve dhe restoranteve aty pranë. Farërat shkëmbehen dhe mbillen për të ruajtur një llojllojshmëri të caktuar. Plehrat artificiale nuk përdoren sepse gjithçka që u nevojitet bimëve gjendet në natyrë.  

Kutitë e krimbave të impianteve të kompostimit
Në kutitë e krimbave të impianteve të kompostimit, mbetjet organike të copëtuara nga krimbat e kuq të Kalifornisë për kompostim përpunohen në humus, një nga plehrat më të mirë natyralë. | Foto: © Irving Cabello
Një projekt i quajtur Reciclaje Comunitario organizon asgjësimin kolektiv të mbetjeve. Mbetjet organike nga banorët, dyqanet dhe restorantet përreth përzihen me ato nga Huerto Roma Verde. “Në impiantet tona të trajtimit biologjik dhe sistemet e kompostimit mund të shpërbëhen deri në njëmbëdhjetë tonë mbetje organike për çdo muaj”, komenton Ayala. Produkti përfundimtar përdoret në lehet e ngritur si dhe në kopshtet dhe parqet e rrethit. Mbetjet e ngurta mblidhen në pikat e grumbullimit për të transformuar materialet ose për t'u dhënë atyre një jetë të dytë. Në Huerto Roma Verde, për shembull, mund të zbuloni struktura të bëra nga kutitë e pijeve, shishet e ngjeshura plastike, alumini i ricikluar ose xhami.  
 

Huerto Roma Verde gjithashtu ofron me sukses rezistencë kur bëhet fjalë për furnizimin me energji: “Ne jemi të mendimit se liria dhe pavarësia e vërtetë mund të arrihet vetëm përmes vetë-menaxhimit”, shpjegon Ayala.
“Pika e Kuqe”
Në Huerto Roma Verde ekziston “Pika e Parë e Kuqe” (Punto Rojo) në Mexico City. Është një hapësirë e sigurt dhe e mbrojtur për gratë që përdorin metoda ekologjike për higjienën e tyre mujore. Gjaku menstrual i lëshuar këtu përdoret si plehërim për bimët shëruese. | Foto: © Irving Cabello

“Për shembull, ne duhet të shkëputemi nga kjo paradigmë hierarkike, e centralizuar, vertikale dhe patriarkale, në të cilën ne nuk marrim gaz nga kompanitë. Kjo vlen edhe për zinxhirët e mëdhenj të furnizimit me ushqime. Ne jemi absolutisht të varur nga një sistem i centralizuar. Nëse krijojmë njerëz dhe shoqëri që vetë furnizohen, atëherë ne zhvendosim sistemin e pushtetit.” Falë ujit të mbledhur të shiut, përdorimit të energjive të rinovueshme dhe prodhimit të bio-gazit, Huerto Roma Verde është pothuajse tërësisht i pavarur dhe për këtë arsye është një ishull i qëndrueshëm në mes të këtij metropoli kaotik. 

Në fakt, aktualisht bëhet fjalë për një nismë të vetme, por projekte të ngjashme tashmë janë duke u nisur në pjesë të tjera të qytetit dhe të vendit. Ayala është gjithashtu në kontakt të vazhdueshëm me njerëz nga e gjithë bota që duan të nisin me idenë e tij në vendin e tyre. Këto lloj projektesh të kopshteve mund të krijohen kudo, thotë ai. Duhet vetëm të orientohet sipas nevojave përkatëse të vendeve dhe banorëve të tyre.  
 

Si shndërrohen produktet ushqimore përsëri në “Mundësi për jetë”? 

Ushqimi është një nga gjërat më themelore për jetë. Por sistemi ynë global i ushqimit është bërë një problem i madh. Bujqësia dhe prodhimi i ushqimit tani janë aq të industrializuara sa janë tejkaluar disa kufij të ndotjes së planetit tonë, për shembull përmes shpyllëzimit, konsumit të ujit, monokulturave ose ndotjes me nitrogjen. Vetëm bujqësia shkakton rreth një të katërtën e emetimeve globale të gazrave serrë. Shkaku kryesor është rritja e konsumit të mishit. Shumica e kafshëve jetojnë vetëm për t'u therur. Dhe ndryshe nga sektori i energjisë, ku emergjencat e rinovueshme ofrojnë një alternativë konkurruese, bujqësia organike është ende një fenomen i veçantë. Megjithatë, ka shumë ide dhe projekte për ta bërë sistemin tonë ushqimor sërish më miqësor ndaj mjedisit. Në raportet tona mbi të ushqyerit, autorët tanë bëjnë një vështrim më të afërt në tre nga këto qasje.