Bartolomeo Sorge
„KUR POLITIKA HUMB VLERAT E VETA, AJO HUMB SHPIRTIN E VET“

Bartolomeo Sorge (1929–2020) është një jezuit italian dhe studiues katolik, i cili ishte aktiv që nga koha e Papës Gjoni i XXIII dhe Këshillit të Dytë të Vatikanit. Intervistën e zhvilloi Jerg Niz (Jörg Nies). Ai studioi filozofinë dhe teologjinë dhe në vitin 2011 u bë pjesë e Urdhrit të Jezuitëve. Ai aktualisht i përket komunitetit Jezuit në Stokholm.

Nies: I dashur Bartolomeo Sorge, që nga viti 1946 jeni anëtar i Urdhrit fetar të shoqërisë jezuite. Tanimë disa dekada jeni prijës i mendimit fetar dhe politik. Sot jetoni në një Komunitet jezuit të Gallarat-it të Italisë – dhe Europën e shihni në një krisë. Na e sqaroni këtë ju lutem?

Sorge: Mendoj se ne në Europë po përjetojmë një ndryshim të civilizimit me efekte krejtësisht të pazakonshme. Në Antropologjinë kulturore ekzistojnë dy lloje krizash: një krizë ekonomike dhe një strukturale.

Nëse gjithë këtë e paramendojmë si një shtëpi, themeli i saj korrespondon me kulturën e një populli. Mbi këtë themel kulturor qëndrojnë muret, të cilat e përcaktojnë arkitekturën e ndërtesës. E gjithë kjo është e ndikuar nga vlerat e njerëzve. Në brendi të shtëpisë mund të shkaktohen ndryshime të shumta, të cilat janë analoge me krizat ekonomike, por struktura e shtëpisë mbetet e qëndrueshme.

Pikërisht në kohën e globalizmit kemi nevojë për një humanizëm të ri.

Bartolomeo Sorge

Në Europë dhe në gjithë botën, megjithatë ka, jo vetëm ndryshime të brendshme ekonomike, por edhe ndryshime strukturore. Modeli i deritanishëm shoqëror nuk mund të qëndrojë më. Unë do të thosha që me fillimin e shekullit XXI ka mbaruar edhe civilizimi industrial me të gjitha vlerat e tij, kulturën dhe themelin e tij. Sido që të jetë, në këtë civilizim mbështeteshin strukturat që formojnë institucionet politike në fushën e punës, familjes dhe arsimit. Në rast se ky themel shembet, do të shemben edhe strukturat. Në një krizë të këtillë ndryshojnë vlerat dhe zakonet. Njerëzit janë të ndarë mbi ato themele. Kriza nuk është më vetëm ekonomike, por është modeli i tërë shoqëror, i cili tani duhet të rishikohet.

Sot jemi duke përjetuar krizë ekonomike, e cila është pasojë e industrializimit. Problemi tani është që ne nuk dimë çfarë të bëjmë, sepse modeli i djeshëm nuk është më i përshtatshëm, ndërsa modeli i së nesërmes ende nuk është zbuluar. Ne duhet të gjejmë mënyra të reja. Gjithmonë them, sfida e shekullit XXI është „të jetojmë së bashku dhe të respektojmë dallimet tona“, pasi që pikërisht në kohën e globalizimit na duhet një humanizëm i ri. E ardhmja është e pasigurt, por është një detyrim. Ndërtimi i një shtëpie të re të përbashkët, nëse ashtu doni, është një gjë e bukur dhe më e vështira e kohës sonë.

Kur politika humb vlerat e veta, ajo humb shpirtin e vet. Nëse kjo ndodh, i gjithë organizmi përkeqësohet, kalbet dhe prishet. Në fakt, kriza është gjithashtu një krizë e idealeve që ne e shohim në të gjitha vendet sot. Kur humbet forca e moralit, korrupsioni ka një rrjedhë të lirë - madje edhe demokracitë tona, gjoja të forta, nuk janë imune ndaj tij.

Nies: Si duhej të duken vlerat e sotme përkitazi me moralin?

Sorge: Lidhur me këtë, dua të citoj Gjon Palin II, i cili në vitin 1995, në një fjalim në Kombet e Bashkuara me rastin e 50-vjetorit të themelimit, tha: „Le të fillojmë me gjuhën e përbashkët etike, që është e shkruar në ndërgjegjen e mbarë njerëzimit.“ Ai ia tha këtë qindra njerëzve me prejardhje të ndryshme në audiencë. Papa ishte i bindur se popujt afrikanë, europianë e aziatikë, budistët, ateistët, myslimanët e katolikët, të gjithë njerëzit, kanë një gjuhë të përbashkët etike me disa vlera themelore.
 
Për shembull: dinjiteti njerëzor. Ju nuk do të gjeni asnjeri që në parim e hedh poshtë këtë vlerë. Idetë se si të mbrohet ajo janë në fakt të ndryshme, por jo edhe parimi. Ose, solidariteti. Njeriu, në linjë të parë është një „Qenie që qëndron në lidhje“. Askush nuk mund të ekzistojë i vetëm. Të jemi njerëzor do të thotë të qëndrojmë të lidhur me njëri-tjetrin. Nëse i humbasim këto lidhje me njëri-tjetrin, ne do të shkatërrojmë edhe dinjitetin njerëzor.
 
Më pas, ekziston edhe subsidiariteti, i cili përshkruan zhvillimin e aftësive individuale, vetëvendosjen dhe përgjegjësinë personale – çdo njeri do të vlerësohet për atë që mund të bëjë. Një vlerë tjetër thelbësore ka të bëjë me të mirën e përbashkët. Mirëqenia individuale brenda një shoqërie ose arrihet bashkërisht ose përndryshe fare nuk arrihet. Ruajtja e veprave është një shembull për këtë. Kriza ekologjike na e paraqet një sfidë mbi jetën dhe vdekjen. Ose kujdesemi për ruajtjen e planetit ose zhdukemi nga pasojat.

Kriza ekologjike na e paraqet një sfidë mbi jetën dhe vdekjen.

Bartolomeo Sorge

Nëse dikush i ka parasysh këto parime të gjuhës së përbashkët etike, ato mund të jenë baza për humanizmin e ri të globalizuar – një botë e re e bashkuar në pluralizëm. Atëherë, civilizimet mund të rriten mbi këtë bazë dhe gradualisht të zhvillojnë vlera të reja. Kushtetutat e popujve të ndryshëm mund të kenë vlerat e tyre që janë të rëndësishme për kombin, gjë që nuk paraqet ndonjë problem. Mirëpo, ne patjetër të gjejmë një „Themel“ për shtëpinë e re. Institucionet duhet të ndryshojnë duke u bazuar në këtë vetëdije të re. Ne duhet të rishikojmë marrëveshjet ekzistuese, veçanërisht në funksion të lëvizjeve të reja të migrimit. Bëhet fjalë për një problem të ri, tipik për mijëvjeçarin e tretë.
 
Pastaj na duhen „Banorët“. E kemi ndërtuar shtëpinë Europë dhe kjo do të thotë që gjermanët duhet të mbesin gjermanë, por ata duhet të pranojnë edhe kulturën e përbashkët, themelin e shtëpisë së përbashkët. Këtu nuk bëhet fjalë për atë që Gjermania, Italia dhe Franca të bëhen europiane, por më shumë bëhet fjalë për atë që gjermanët, italianët dhe francezët të bëhen europianë. Bëhet fjalë për një formë të re të qenies njerëzore. Kjo është me rëndësi të dihet. Vetë njeriu është në gjendje të ndryshojë historinë.

Kam vërejtur se është e mundur që politika të ripërtërihet edhe në kohë krize strukturore.

Bartolomeo Sorge

Nëse dikush do të më pyeste për një nocion të vetëm, me të cilin do të mund të tejkalohej kjo krizë strukturore, unë do të isha përgjigjur: arsimi. Nëse nuk zhvillojmë forma të reja të punës dhe një kulturë të re lidhur me teknologjinë, nëse nuk zhvillojmë elita të përshtatshme, në mijëvjeçarin e tretë nuk do të kemi sukses të fitojmë luftën për një Evropë moderne të bashkuar. Atëherë edhe ligjet më aktuale dhe më moderne do të jenë të padobishme.

Nies: Në mesin e viteve 1980-ta ju e themeluat Istituto di Formazione Politica „Pedro Arrupe“ në Palermo. A ishte ky një lloj arsimi, të cilin dëshironit ta vendosni atje?

Sorge: Po, shumë e saktë. Kur unë shkova në Palermo ishte ky një kapitull i ri në jetën time – një kontribut për arsimin tim europian pas një hulumtimi dhe mësimdhënie teorike prej 25 vitesh. Deri atëherë kam hyrë dhe dalë në Vatikan dhe në Pallatin Kuirinal, ku takova tre Presidentë të Republikës. Kjo ishte bota ime për një kohë të gjatë!

Pastaj, si do që të jetë, qëndrova në rrugët e Palermos, ku kaq shumë njerëz u robëruan dhe u vranë nga mafia. Pyesja veten se si mund ta ndihmojmë Palermon të kthehet në shtetin e së drejtës. Përgjigja ishte: me arsim. Zhvilluam programe kundër krimit dhe korrupsionit dhe arritëm të krijojmë një vetëdije të re në shoqërinë civile.

Ne donim të ndryshojmë botën dhe filluam me njerëzit në rrugë, jo me ata në pallate. Filluam në lagje, me qytetarë të thjeshtë, besimtarë dhe jobesimtarë, me të djathtë e të majtë. I gjithë qyteti ishte gati të luftonte krimin e organizuar dhe të rivendoste shtetin e së drejtës. Ky ishte fillimi i të ashtuquajturës „Pranvera e Palermos“, një lidhje e ndërgjegjes dhe gjuhës së përbashkët etike që bashkoi të gjithë njerëzit me vullnet të mirë.
 
Në Palermo mësova se politika mund të ripërtërihet edhe në kohë krizash strukturore. Koha ime atje ishte një konfirmim themelor i kërkimeve të mia teorike. Një nga mësimet nga Palermo është se besimi në të ardhmen varet nga arsimi, nga idealet dhe mënyra jonë e të jetuarit së bashku, nga respekti për ata që janë ndryshe.

Pastaj erdhi Papa Françesku, i cili na mbështeti edhe më shumë për të dalë në botë si një kishë. Me këtë rast nuk ka të bëjë me ne besimtarët si një njësi nga e cila përjashtohen të tjerët. Bindja se të gjithë njerëzit jetojnë së bashku në një shtëpi të përbashkët – ky është mishërimi i krishterimit në historinë e sotme. Dhe pikërisht kjo është agjenda e Papës: Uniteti në larmi është pikërisht gjëja e duhur, për të cilën bota ka nevojë.

Nies: Si mund të ndihmojë Kisha lidhur me unitetin në Evropë? Çfarë këshille i jepni brezit të ri?

Sorge: Kisha duhet të sigurojë çimenton që bashkon tullat e shtëpisë, tulla që janë simbole të dashurisë. Unë besoj se shërbimi i Kishës në ndërtimin e një Europe të bashkuar, një bote të bashkuar, nuk është që të propozojë ligje në Parlamentin Evropian. Bëhet fjalë për atë që të gjithë të dëshirojnë dhe t’i ftojnë të gjithë për të ndihmuar njëri-tjetrin si vëllezër e motra. Koha për këtë ka ardhur.
 

Kisha duhet të sigurojë çimenton që bashkon tullat e shtëpisë.

Bartolomeo Sorge

Ka gjithnjë e më shumë njerëz që angazhohen dhe duan të ndryshojnë gjërat. Kur shoqëria civile fillon të lëvizë, fillon edhe ndryshimi. E kam parë vetë në Palermo, njerëzit ngrihen. Është një shenjë e shpresës.

Njerëzimi është racional. Edhe në jetën politike mbizotëron arsyeja. Unë mendoj se Europa, me trashëgiminë e saj kulturore dy mijë vjeçare, mund të jetë një forcë thelbësore për unitetin global, i cili vazhdon të bëjë përparim. Askush nuk mund ta ndalojë historinë, por ajo mund të drejtohet.