Financat dhe Tatimet

portofol i hapur në një tavolinë © Goethe-Institut/ Gina Bolle

Nëse jetoni dhe punoni në Gjermani, ju nevojitet një llogari bankare. Punëdhënësi juaj do t’ju transferojë pagën në llogari. Ju paguani qiranë dhe faturat tuaja me paratë në llogarinë tuaj bankare. Gjithashtu mund të tërhiqni para nga bankomatet.

Audio-Player: Artikel anhören

Artikel anhören

Finanzen und Steuern

Llogaria bankare

Ekzistojnë banka të ndryshme dhe kursimore. Disa prej tyre kanë degë përfaqësuese ku mund të shkoni dhe të flisni me të punësuarit. Ekzistojnë gjithashtu banka direkte që mund t'i përdorni vetëm përmes internetit. Zakonisht ju paguani një tarifë bazë për një llogari bankare. Për nxënësit dhe studentët, ky shërbim është falas.

Për paratë në llogarinë tuaj, banka ose kursimorja ju japin interesa. Për paratë në llogarinë rrjedhëse (Girokonto) ju merrni më pak interesa. Nëse dëshironi të kurseni para, mund të hapni një llogari të depozitave të përditshme ose një llogari kursimi. Me këtë, ju merrni më shumë interesa se sa me një llogari rrjedhëse.

Hapja e llogarisë

Ju dëshironi të hapni një llogari? Ekzistojnë llogari të ndryshme. Një llogari e zakonshme bankare quhet llogari rrjedhëse (Girokonto). Ndonjëherë banka nuk dëshiron t'ju japë një llogari rrjedhëse, për shembull nëse keni pak para. Atëherë banka duhet t'ju japë një llogari bazë. Me këtë llogari, ju mund të bëni gjërat më të rëndësishme: të transferoni para, të paguani me kartë, të depozitoni dhe të tërhiqni para. Zakonisht, kjo është një llogari me kredit të parapaguar. Ju mund të shpenzoni vetëm aq para sa keni.

Me një llogari me kredi të disponueshme (Dispo), mund të tërhiqni para edhe kur nuk keni më para në llogari. Banka ju jep hua deri në një shumë të caktuar. Por, ju duhet t'i ktheni bankës jo vetëm atë shumë, por edhe interesat. Zakonisht interesat janë shumë të larta.

Për hapjen e llogarisë, mund të shkoni në një degë përfaqësuese. Banka ose kursimorja duhet gjithmonë të verifikojë identitetin tuaj. Ju duhet të keni me vete letërnjoftimin ose pasaportën tuaj.

Në shumë banka mund të hapni llogari edhe online ose me postë. Për këtë ju duhet të përdorni procedurën e Postident: banka ose banka e kursimit j’u dërgon disa letra. Me këto letra dhe mjetin e identifikimit ose pasaportën tuaj, ju shkoni në postë. Këtu ju mund të vërtetoni identitetin tuaj. Ndonjëherë për hapjen e llogarisë, mund t’ ju nevojitet certifikata e vendbanimit.

Online-Banking

Shumicën e gjërave me bankën i bëni përmes internetit. Kjo quhet Online-Banking. Vetëm pak njerëz shkojnë ende në një degë përfaqësuese. Shumica e njerëzve përdorin një aplikacion në telefonin e tyre. Kur të bëni hapjen e llogarisë, deklaroni se dëshironi të bëni Online-Banking ose Home-Banking. Me këtë mund të bëni transferime të shpejta dhe të thjeshta, për shembull kur dëshironi të paguani fatura. Për këtë ju nevojiten vetëm informacionet e llogarisë: Kujt duhet t'i transferohen paratë? Si është IBAN-i? Për transferime të rregullta, si për qiranë, mund të bëni një urdhër automatik.

Që nga viti 2014, në shumicën e vendeve evropiane ekzistojnë sistem të pagesave SEPA. Me qëllim të transferimit të parave (Euro) sa më thjesht të jetë e mundur. Ju nevojiten IBAN dhe BIC, këto janë rreshta me numra dhe shkronja. IBAN dhe BIC i gjeni, për shembull, në kartën tuaj të debitit.

Ju pëlqen të bëni blerje në internet? Ekzistojnë mënyra të ndryshme për të paguar: Ju mund të merrni një faturë dhe të transferoni paratë. Gjithashtu mund të paguani me kartë debiti ose krediti. Por ka edhe shërbime pagesash, si për shembull PayPal ose Klarna. Shumë njerëz në Gjermani kanë një llogari në PayPal. Me të, në mënyrë shumë të thjesht mund t'u dërgoni para shoqeve, shokëve dhe të njohurve.

Kartat e parave

Ka karta të ndryshme parash: një kartë rrjedhëse, një kartë krediti ose një kartë debiti (për shembull: MasterCard, Visa). Kartat rrjedhëse më parë quhen karta EC. Shumë njerëz ende e përdorin këtë emër. Kostot për kartat ndryshojnë nga një bankë në tjetrën. Një prej tyre zakonisht është falas. Banka ose banka e kursimit ju dërgon kartën me postë. Ju duhet ta nënshkruani kartën. Pas disa ditësh, ju vjen me postë një kod sekret për kartën tuaj, PIN-i. Ju duhet ta mbani mend këtë kod.

Me kartën rrjedhëse, kartën e debitit ose kartën e kreditit mund të tërhiqni para nga të gjithë bankomatet. Për këtë ju nevojitet gjithmonë numri PIN. Disa banka dhe bankomate kërkojnë tarifa. Të tjerët janë falas. Ndonjëherë mund të tërhiqni para edhe në kasën e supermarketit.

Ju mund të paguani me kartën rrjedhëse në dyqane dhe restorante. Zakonisht, kjo është e mundur edhe me kartën e debitit ose të kreditit. Kujdes: Në Gjermani nuk mund të paguhet kudo me kartë. Ndonjëherë restorantet, kafeteritë ose dyqanet e vogla pranojnë vetëm para në dorë.

Nëse keni humbur kartën tuaj të parave ose ua kanë vjedhur? Bllokoni kartën sa më shpejt që të jetë e mundur. Telefononi numrin emergjent të bllokimit 116116.

Paga dhe shpenzimet e jetesës

Punëdhënësi juaj ju paguan një pagë. Zakonisht, ju keni rënë dakord për një pagë bruto vjetore. Por kjo nuk është shuma që do të kalojë në llogarinë tuaj. Nga ajo paguhen sigurimet shoqërore të detyrueshme. Shteti gjithashtu mban një taksë mbi të ardhurat nga paga juaj. Paga neto është shuma që ju mbetet. Punëdhënësi juaj e transferon atë çdo muaj në llogarinë tuaj. Sigurohuni që kjo shumë të jetë e mjaftueshme për jetesën tuaj. Ju keni nevojë për para për banesën, ushqimin, argëtimin dhe shumë gjëra të tjera. Lexoni informacionet tona në tekstet „Sigurimet“ dhe „Fillimi i punës“.

Ndihma financiare

Për familjet, personat me të ardhura të ulëta dhe personat me aftësi të kufizuara, ekziston ndihmë financiare nga shteti. Lexoni më shumë për këtë në tekstet tona „Jeta me fëmijë“ dhe „Jeta me aftësi të kufizuara“.

Tatimet

Në Gjermani ekziston një detyrim për tatime. Kjo do të thotë që të gjithë njerëzit që punojnë paguajnë tatim mbi të ardhurat. Ky është tatimi mbi pagën. Ju merrni një numër tatimor nga zyra e tatimeve dhe një ID tatimore nga Zyra Qendrore Federale për Tatimet. Kjo është një numër me 11 shifra. Ju gjithashtu keni një kartë elektronike të tatimit mbi pagën (ELStAM). Kjo komunikohet direkt nga zyra e tatimeve te punëdhënësi.

Jeni i/e punësuar? Atëherë punëdhënësi juaj transferon tatimin mbi të ardhurat në zyrën e tatimeve. Ju nuk duhet të bëni asgjë. Keni një firmë tuajën? Jeni të vetëpunësuar? Atëherë duhet të paguajnë tatimin mbi të ardhurat. Kjo është pak më e ndërlikuar. Të vetëpunësuarit bëjnë një pagesë paraprake te zyra e tatimeve. Për çdo vit ata bëjnë një deklaratë tatimore. Pas kësaj, duhet të paguajnë shtesë ose të marrin para mbrapsht.

Shuma e tatimit mbi të ardhurat varet nga paga. Kush fiton më shumë, paguan më shumë. Kush fiton më pak, paguan më pak. Gjithashtu, klasa e tatimit është e rëndësishme. Për shembull, kush është i martuar ose ka fëmijë, paguan më pak tatime.

Nëse jeni pjesë e një kishe, ju paguani gjithashtu tatimin e kishës. Ndërmarrjet paguajnë një taksë biznesi për qytetin ose komunën.

Edhe punonjësit bëjnë çdo vit një deklaratë të tatimit mbi të ardhurat. Ata i tregojnë zyrës së tatimeve sa para kanë marrë. Ata gjithashtu tregojnë edhe shpenzimet që kanë pasur. Pas deklaratës së tatimeve, punonjësit shpesh marrin para nga zyra e tatimeve. Ju mund ta bëni vetë deklaratën e tatimeve, për shembull përmes portalit ELSTER nga zyra e tatimeve. Gjithashtu mund të merrni ndihmë edhe nga një këshilltar tatimor, por kjo kushton.

Sigurimet

Në Gjermani ka shumë sigurime të ndryshme. Disa prej tyre janë të domosdoshme, të tjerat janë të vullnetshme. Një sigurim i rëndësishëm është sigurimi pensional. Për të siguruar që të keni para të mjaftueshme në pleqëri, ekziston një pension shtetëror. Por shpesh nuk është i mjaftueshëm. Një sigurim privat për pleqëri zakonisht është i dobishëm. Lexoni më shumë në tekstin tonë informativ „Sigurimet“.

Dokumente të rëndësishme

Ruani mirë dokumentet e rëndësishme lidhur me financat tuaja. Po ashtu edhe dokumentet tuaja të identitetit, si për shembull kartelën e sigurimit social ose pasaportën tuaj. Kjo vlen edhe për certifikatat personale, si certifikata e lindjes ose certifikata e martesës. Gjithashtu duhet të ruani mirë diplomat dhe dëftesat e punës.

Pyetje të shpeshta

Na ndiqni