Në shumë vende, martesa kryhet në zyrën e gjendjes civile. Kjo është një martesë shtetërore. Kështu është edhe në Gjermani. Vetëm në këtë mënyrë martesa është e vlefshme. Pas kësaj, mund të martoheni edhe në kishë. Për martesë, të dy duhet të jenë të paktën 18 vjeç.
Në Gjermani, shumë çifte jetojnë së bashku pa qenë të martuar. Kjo vlen edhe për familjet me fëmijë. Çdokush mund të vendosë lirisht.
Që nga 1 tetori 2017, edhe çiftet e gjinisë së njëjtë, si burrë me burrë ose grua me grua, mund të martohen në Gjermani. Ata kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime. Kjo do të thotë, për shembull: Kanë të drejtë të adoptojnë fëmijë dhe mund të marrin mbiemrin e partnerit ose partneres. Ata duhet të jenë pranë njëri-tjetrit.
Dokumentet
Dëshironi të martoheni në Gjermani? Atëherë ju duhet të regjistroheni në zyrën e gjendjes civile në vendbanimin tuaj. Për regjistrimin e martesës ju nevojiten këto dokumente: letërnjoftim ose pasaporta, certifikata e lindjes, certifikata e vendbanimit dhe një certifikatë për aftësinë martesore. Keni fëmijë? Atëherë duhet të sillni edhe dokumentet e fëmijëve. Pyetni në zyrën tuaj të gjendjes civile nëse ju duhen dokumente të tjera.
Ju duhet të përktheni dokumentet nga vendi juaj në gjuhën gjermane. Një noter ose një notere duhet t’i nënshkruajë për të vërtetuar se përkthimet janë të sakta. Noteri duhet t’i legalizojë përkthimet.
Pas martesës, në zyrën e gjendjes civile do të merrni një dokument të ri: certifikatën martesore. Nëse dëshironi, ju mund të merrni gjithashtu një libër familjar me informacion rreth familjes tuaj.
Jeni martuar tashmë në vendin tuaj? Ju mund të bëni njohjen e certifikatës martesore të huaj në zyrën e gjendjes civile. Pyesni në zyrën e gjendjes civile të qytetit tuaj.
Festa e dasmës
Shumica e njerëzve bëjnë një festë të madhe për martesën e tyre. Çifti i sapomartuar fton shumë mysafirë. Vijnë të afërm si prindërit, vëllezërit, motrat, gjyshërit, hallat, dajat, kushërinjtë dhe kushërirat. Dhe sigurisht që vijnë miqtë dhe shoqet. Shpesh vijnë edhe kolegë dhe kolege. Zakonisht, në një dasmë në Gjermani vijnë rreth 100 të ftuar. Pra, festat nuk janë aq të mëdha sa në disa vende të tjera.
Ka ushqim, muzikë dhe kërcim. Nusja dhe dhëndri kërcejnë së bashku një kërcim dhe të gjithë të ftuarit shikojnë. Ata presin së bashku një tortë, tortën e dasmës. Ndonjëherë ka edhe lojëra për çiftin e sapomartuar. Gruaja shpesh mban një fustan nusërie të bardhë. Shumë çifte blejnë unaza martese. Mysafirët sjellin dhurata. Zakonisht ata i dhurojnë çiftit të sapomartuar para. Por mund ta pyesin çiftin paraprakisht edhe çfarë dëshiron.
Bashkimi familjar
Bashkëshorti/bashkëshortja juaj është ende në vendin tuaj? Mund ta sillni familjen tuaj në Gjermani. Për këtë ju duhet një leje qëndrimi. Kjo vlen vetëm për bashkëshortët dhe fëmijët e tyre nën 18 vjeç. Kjo quhet bashkim familjar ose bashkim bashkëshortësh. Disa profesionistë ndërkombëtarë mund të sjellin edhe prindërit dhe prindërit e bashkëshortit/ bashkëshortes në Gjermani. Kjo vlen nëse keni marrë lejen tuaj të qëndrimit pas 01.03.2024.
Për këtë ka rregulla të caktuara. Duhet të mund të mbani familjen tuaj. Familja juaj duhet të ketë hapësirë në shtëpinë tuaj. Ju duhet një sigurim shëndetësor. Bashkëshorti/bashkëshortja juaj duhet të ketë njohuri të thjeshta të gjuhës gjermane. Ai/ajo ka nevojë për një certifikatë gjuhësore. Në këtë dokument shkruhet se ai/ajo ka nivelin minimal të gjuhës A1. Fëmijët nën 16 vjeç nuk kanë nevojë për një provë të gjuhës gjermane.
Ndarja dhe divorci
Martesa juaj nuk po shkon mirë? Po grindeni shpesh? Provoni fillimisht me një këshillim martesor ose terapi për çifte. Kjo ndihmon ndonjëherë.
Por ndonjëherë ka arsye për një ndarje ose divorc. Divorci nuk është kaq i thjeshtë. Duhet të jetoni të ndarë për një vit para se të filloni procesin e divorcit. Kërkoni këshillim. Qendrat e këshillimit ndihmojnë për pyetje ligjore ose për pyetje për fëmijët, për shembull, tek kush do të jetojnë fëmijët ose kush do të paguajë sa.
Nëse martoheni me një qytetar/e gjerman/e, mund të aplikoni për vizë për martesë. Më shumë informacion mund të gjeni në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme:
Jo çdo martesë, e bërë në një vend të huaj, vlen edhe në Gjermani. Ju mund ta verifikoni këtë. Po ashtu, mund ta bëni njohjen zyrtare të martesës tuaj në Gjermani. Pyetni në zyrën e gjendjes civile të qytetit tuaj.
Informacione mund të merrni gjithashtu në faqet e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme:
Ka mundësinë për bashkim familjar. Për këtë ka rregulla të caktuara. Informacione mbi këtë temë mund të merrni në faqet e internetit të Ministrisë Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) dhe "Make it in Germany".