Vendi im i punës

Në ditët e para në vendin e ri të punës, ju do të njiheni me koleget dhe kolegët tuaj si dhe me punën. Pas disa ditësh, mund t’u drejtoheni shpesh kolegëve me „ti“. Ndërsa ndaj eprorëve, pra shefes apo shefit, zakonisht përdoret „ju“. Megjithatë, kjo ndryshon nga një kompani në tjetrën.
Dëshironi të ushtroni gjuhën gjermane për komunikimin në vendin e punës? Shikoni te rubrika „Deutsch üben“ (Ushtro gjermanishten).

Tavolinë përpara një dritareje © Goethe-Institut/ Gina Bolle

Audio-Player: Artikel anhören

Artikel anhören

Mein Arbeitsplatz

Mbrojtja e punëmarrësit

Në Gjermani ekziston mbrojtja e punëmarrësit: Kompania duhet të respektojë rregulla të caktuara për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësit. Këtu përfshihen: veshje të caktuara pune, pushime dhe orare të rregullta pune. Në kompanitë e mëdha ka organizata për punëmarrësit, këshillin e punonjësve. Nëse keni probleme, mund të flisni me këshillin e punonjësve. Këshilli pastaj flet me mbikëqyrësin tuaj.

E drejta e punës: Oraret e punës, pushimet dhe sëmundjet

Oraret e punës varen nga profesioni dhe kontrata juaj e punës (shih tekstin „Fillimi i punës“). Për shembull, si infermiere ose infermier në një spital, punoni me turne: ndonjëherë në mëngjes, ndonjëherë në mbrëmje ose natën.

Në një zyrë, zakonisht keni orare të rregullta pune. Filloni në mëngjes dhe pas 8 ose 9 orësh përfundoni. Në zyrë, shpesh keni edhe orar fleksibël, që do të thotë se mund të filloni në orën 8 ose 9 të mëngjesit dhe të përfundoni herët ose vonë pasdite. Në çdo vend pune keni të paktën një pushim, zakonisht një pushim dreke prej 30 ose 60 minutash. Gjithnjë e më shumë punëdhënës ofrojnë mundësinë për të punuar nga shtëpia (Home-Office). Zakonisht punohet 38–40 orë në javë. Ekziston edhe mundësia e punës me kohë të pjesshme, për shembull 50%. Kjo është rreth 20 orë në javë. Nëse keni fëmijë ose punoni si i vetëpunësuar me kohë të pjesshme, kjo është një mundësi. Në Gjermani ka një pagë minimale: Punëdhënësit nuk lejohen të paguajnë punëmarrësit më pak se 12,41 euro në orë (gjendja 2024).

Çdo punëmarrës ka një numër të caktuar ditësh pushimi në vit. Ju duhet të bëni kërkesë për marrjen e pushimeve dhe mbikëqyrësi juaj duhet ta miratoj. Pushimet mund t' i shpërndani gjatë gjithë vitit. Shpeshherë, ju mund t’ i merrni pushimet, kur dëshironi, por ndonjëherë s'mund të merrni pushime për shkak të ngarkesës së madhe të punës në kompani. Ndonjëherë, ju jeni i detyruar t’ i merrni pushimet, sepse e gjithë firma është me pushime. Gjatë pushimeve, ju vazhdoni të merrni pagën tuaj.

Në rast se jeni sëmurë, ju duhet të njoftoni menjëherë punëdhënësin tuaj dhe të shkoni te mjeku. Kjo quhet të shënohesh i sëmurë. Zakonisht punëdhënësit kërkojnë një raport mjekësor vetëm pas 3 ditësh (në ditën e 4-të) të sëmundjes (shih tekstin „Shëndeti“). Ndonjëherë, punëdhënësit e kërkojnë raportin edhe më herët. Mund të shkoni në klinikë ose të telefononi: Në shumicën e rasteve, mund të lajmëroni sëmundjen tuaj përmes telefonit te mjeku ose mjekja juaj. Mjeku juaj e dërgon njoftimin e sëmundjes në mënyrë digjitale në sigurimin shëndetësor. Punëdhënësi mund ta shohë atë në internet. Kjo vlen për njerëzit me sigurim shëndetësor shtetëror. Nëse keni sigurim privat, do t'ju duhet të paraqisni raportin në formë letre vetë.

Veshja e punës

Në disa profesione, duhet të vishni veshje pune, për shembull në një kantier ndërtimi për t'u mbrojtur nga lëndimet. Ndonjëherë vishni edhe një uniformë, për shembull kur punoni në një aeroport. Ose duhet të vishni një bluzë me logon e kompanisë suaj, në mënyrë që klienti të kuptojë se jeni punonjës.

Ndërprerja e kontratës

Nëse nuk mundeni ose nuk dëshironi të punoni më për kompaninë tuaj, duhet të jepni dorëheqjen. Dorëheqja gjithmonë bëhet me shkrim. Ekziston edhe një afat i dorëheqjes. Zakonisht afati është 3 muaj. Edhe punëdhënësi mund t'ju largoj nga puna. Edhe në këtë rast zakonisht keni 3 muaj afat. Jeni ende në periudhën e provës? Gjatë periudhës së provës, afati i dorëheqjes është më i shkurtër, zakonisht 2 deri në 3 javë. Nëse nuk jeni dakord me largimin nga puna, keni 3 javë kohë për të apeluar.

Keni marrë një njoftim për largim nga puna ose kontrata juaj e punës është në fund? Duhet të lajmëroni me kohë Agjencinë e Punës se po kërkoni punë dhe më pas të njoftoni se jeni të papunë. Pastaj mund të kërkoni ndihmë papunësie dhe zakonisht do të merrni para. Shuma dhe kohëzgjatja varen nga disa faktorë. Nëse jepni dorëheqjen vetë, Agjencia e Punës mund t'ju vendosë një periudhë bllokimi. Kjo do të thotë që nuk do të merrni ndihmë papunësie për një periudhë të caktuar.

Trajnimi dhe zhvillimi i mëtejshëm

Nëse tashmë keni përfunduar një kualifikim ose një studim dhe keni punuar për një periudhë të caktuar, mund të zhvilloheni më tej përmes trajnimeve. Ju do të thelloni, zgjeroni ose përditësoni njohuritë dhe aftësitë tuaja. Mund të informoheni dhe të merrni pjesë në trajnime në Agjencinë Federale të Punës. Edhe shkollat për të rritur ofrojnë një gamë të gjerë trajnimesh. Shpesh ka mundësi për zhvillim të mëtejshëm edhe në kompani. Pyetni punëdhënësin tuaj.

Puna e pavarur

A punoni si profesionist i pavarur? Atëherë mund të vendosni vetë kur, ku dhe si do të punoni. Ju mund të punoni nga shtëpia (Home-Office) ose të merrni me qira një zyrë personale.

Dëshironi të hapni një biznes dhe të punësoni punonjës? Atëherë duhet të regjistroni aktivitetin tuaj në zyrën e taksave dhe/ose në zyrën e biznesit. Ju duhet të mendoni edhe për disa të drejta dhe detyrime (shih seksionet në këtë tekst: „Mbrojtja e punëmarrësve“, „E drejta e punës: Oraret e punës, pushimet dhe sëmundjet“ dhe „Largimi nga puna“).

Mendoni edhe për sigurime të rëndësishme për kompaninë tuaj dhe për punonjësit tuaj. Shumë informacione mund t'i gjeni në portalin për fillimin e biznesit.

Pyetje të shpeshta

Na ndiqni